Sot në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve, transmeton Reporteri.net.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, prej dhjetorit të vitit 1954 ka rekomanduar të gjitha shtetet të kenë një ditë të institucionalizuar si Dita Universale e të Drejtave të Fëmijëve. Qëllimi i kësaj dite është respektimi si një ditë e vëllazërisë dhe mirëkuptimit mes fëmijëve në të gjithë botën.
20 nëntori është shënuar në kalendar si “Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve”. Përcaktimi i kësaj dite ka marrë shkas nga Konventa për të drejtat e fëmijëve, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 20 Nëntor 1989.
Në këtë ditë, ashtu si në Kosovë, promovohen përmes aktiviteteve të ndryshme objektivat e Kartës për të Drejtat e Fëmijëve si dhe mirëqenien e fëmijëve të botës.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Organizata Humanitare Islamic Relief Kosova organizon aktivitete argëtuese e rekreative që edhe fëmijët jetimë në kushte të vështira jetësore të kenë mundësi të luajnë, të kënaqen e të ndjehen të barabartë. Organizimi bëhet në “Blissville” – Marigona Residence.
Po ashtu, studentët e Fakultetit të Edukimit të UP-së do ta shënojnë në mënyrë simbolike Ditën Botërore të të Drejtave të Fëmijëve. Përmes një manifestimi paqësor, do të shprehin pakënaqësinë për neglizhencën e institucioneve që në përkujtim të 1432 fëmijëve shqiptarë të vrarë në luftë të ngrihet një Kompleks Memorial/ Obelisk. (Para Teatrit Kombëtar, Prishtinë).
Me qëllim të shënimit të 20 Nëntorit- Ditës Botërore të Fëmijëve, do të mbahet edhe takimi i radhës i Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, në Objektin e Qeverisë së Kosovës.
Po ashtu, do të hapet ekspozita e artit “Fëmijët sjellin në jetë drunjtë përmes pikturës” në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, Prishtinë.
Data 20 nëntor, përkon me ditën e miratimit të Deklaratës për të Drejtat e Fëmijëve në vitin 1959, si dhe miratimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve në vitin 1989.