14 shkurti ishte data kur Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet me shumicë elektorale. Sot, në dyvjetorin e saj në krye të ekzekutivit, kjo parti po mburret me qeverisjen e saj.
VV ka përkujtuar dyvjetorin e qeverisjes, duke listuar edhe disa prej ndryshimeve që thonë se i kanë bërë në këtë periudhë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Me qeverisjen e re Kosova ka shënuar arritje në demokratizim, luftim të korrupsionit dhe reformim të institucioneve”, thuhet në një reagim në Facebook.
Sipas VV-së, sakrifica e aktivistëve të saj nuk ka shkuar dëm, pasi është shpërblyer me një shtet që nuk vjedh, “me një shtet që i shpërndan rezultatet e rritjes ekonomike tek qytetarët, përmes pakove të rimëkëmbjes ekonomike, subvencioneve dhe mbështetjes së punësimit të të rinjve e grave”.
VV ka konsideruar si ndryshim edhe subvencionimin ndaj bujqve në vend të zyrtarëve të ministrisë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, si dhe sigurimin e shtetësisë së terminaleve doganore, për të cilën VV-ja kishte publikuar edhe një video propagandistike ditë më parë kundrejt ish-udhëheqësve të shtetit në 20 vitet paraprake.
Në fund të reagimit thuhet se 14 shkurti i vitit 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli në krye, nuk shënon përfundimin por nisjen e aktivizimit për të mirën e atdheut.
“Prandaj 14 shkurtin nuk e kujtojmë me nostalgji, por me energji”, thuhet tutje. /Reporteri.net/.
Postimi i plotë:
Në vitin 2021, në 14 shkurt, populli i Kosovës vendosi të votojë masivisht ndryshimin. Një shumicë elektorale që nuk ka pasur precedentë në Kosovë, 51% për listën e VETËVENDOSJE!s. Tre prijësit e listës, Albini, Vjosa e Glauku, sot janë kryeministër, presidente dhe kryeparlamentar, personalitete të reja e të pakorruptuara, për republikën më të re të kontinentit tonë. Me qeverisjen e re Kosova ka shënuar arritje në demokratizim, luftim të korrupsionit dhe reformim të institucioneve. Sakrifica e mijëra aktivistëve është shpërblyer e po shpërblehet me një shtet që nuk vjedh, me një shtet që i shpërndan rezultatet e rritjes ekonomike tek qytetarët, përmes pakove të rimëkëmbjes ekonomike, subvencioneve dhe mbështetjes së punësimit të të rinjve e grave.
Rezultati i 14 shkurtit 2021 nuk ishte përfundim, por vetëm nisje e një projekti i cili do të jetë gjithmonë ngushtësisht i lidhur me idealet kombëtare e vlerat shoqërore të cilat i frymëzojnë aktivistët tanë dhe shumë nga qytetarët e Kosovës. Prandaj 14 shkurtin nuk e kujtojmë me nostalgji, por me energji. Ajo nuk është data kur mbaroi aktivizmi për të nisur zyrtarizmi, por data kur aktivizmi u zgjerua në mjetet e qëllimet e veta, për të mirën e Atdheut.