Besimtarët e krishterë në të gjithë vendin, kremtojnë sot Pashkën. Kremtimi i Pashkëve është momenti më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera të krishtera.
Në këtë ditë, Pashkët shënojnë ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit, ringjallje që simbolizon besimin te Zoti dhe shpresën për të gjithë besimtarët.
Mbrëmë në Katedralen “Shënë Nënë Tereza” në Prishtinë, nën drejtimin e Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, është mbajtur ceremonia e Meshës Solemne të Pashkëve.
Duke ftuar besimtarët katolikë që këtë festë të madhe ta kremtojnë me lutje për paqe dhe zemrat e mbushura me shpresë dhe gëzim, ipeshkvi Dodë Gjergji bëri thirrje për paqe e pajtim në mbarë botën si një qëllim i përbashkët për të mirën e njerëzimit.
Ai tha se edhe pse kjo Pashkë na gjen në një botë të përgjakur, në një Europë të përçarë dhe në një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, janë të ftuar të ruajmë qetësinë e shpirtit, shkëlqimin e shpresës dhe ngushëllimin e fesë.
Ndryshe sot në ditën e Pashkës, në orën 11:00 mbahet meshë në Katedralen ‘Shën Nënë Tereza’.
Ndërsa në orën 19:00 organizohet pritja solemne e Pashkës, e cila do të mbahet në Qendrën “BogdaniPolis” që gjendet nën Katedralen ‘Shën Nënë Tereza’.