×
  • Lajme
  • Lajme / Legjislatura e nëntë

    Sot mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 7:08

    Sot do të mbahet seanca konstituive e Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca e sotme ishte caktuar me vendim të presidentes Vjosa Osmani.

    Në seancën e cila është paraparë të fillojë  në orën 10:00, fillimisht do të formohet Komisioni i Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të sapozgjedhur, ndërsa pas kësaj do të bëhet betimi i deputetëve.

    Sipas rregullores së punës së Kuvendit, punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë, që në këtë rast janë deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari dhe deputetja e PDK-së, Sala Jashari.

    Në pikën e tretë të rendit të ditës është paraparë të bëhet zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, pozitë kjo e cila i takon partisë që ka numrin më të madh të deputetëve, por që deri tash Vetëvendosje nuk e ka nominuar askënd për të parin e legjislativit të Kosovës.

    Si pikë e fundit e rendit të ditës është edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit, të cilët së bashku me kryetarin e përbëjnë Kryesinë e Kuvendit.

    Kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesit e subjekteve politike, në mbledhjen e fundit u dakorduan që konform Rregullores dhe praktikave të mëhershme, subjekti me numrin më të madh të deputetëve, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare.

    Në anën e djathtë të sallës, nga perspektiva e kryesuesit të seancës, do të ulet subjekti i dytë me radhë, Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në anën e majtë Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Në ulëset e tjera do të ulen deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetët nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joserbe. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!