×
  • Lajme
  • Lajme

    Sot ose nesër finalizohen koalicionet për Qeverinë e re, Gashi thotë se i kanë 64 vota

    Reporteri
    28 Prill 2020 | 12:27

    Ka përfunduar mbledhja e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa me grupin parlamentar të kësaj partie, ku është diskutuar për emrat që do të jenë pjesë e Qeverisë së re.


    Pas mbledhjes ka folur, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi,  i cili ka thënë se ishte një mbledhje koordinuese ku ishte i pranishëm edhe kandidati i tyre për kryeministër.

    Gashi ka thënë se pritet që sot ose nesër të finalizohen marrëveshjet me partitë tjera që pritet të jenë pjesë e Qeverisë, shkruan Reporteri.net.

    “Mbledhja ishte koordinuese. I pranishëm ishte edhe kandidati për kryeministër, mbledhja shkoi mirë. Po presim që me formalizmin e koalicioneve që do të bëhet brenda ditës së sotme ose të nesërme të procedojmë me thirrjen e seancës. Votë e mjaftueshme konsiderohet momenti i nënshkrimit të koalicioneve, formalizmi i tyre me nënshkrim do të bëhet sot ose nesër”, u shpreh ai.

    I pyetur se a i ka Qeveria e re numrat në Kuvend, Gashi ka thënë se se i kanë 64 vota. Ai ka konfirmuar se Lista Serbe mund ta ketë një zëvendëskryeministër në Qeverinë e re.

    “Mua po më rezulton që i kemi 64 vota.  Lista Serbe do të jetë pjesë e koalicionit Qeverisës, nuk ka mëshirë ose diçka. Njëri nga ministrat e Listës serbe  me gjasë do të jetë zëvendëskryeministër. Nuk varen vetëm prej neve koalicionet, pot prej të gjitha palëve. Shpresojmë, besojmë dhe po angazhohemi që sot ose nesër të mbyllen koalicionet. Sapo të mbyllen do të procedojmë me emër te presidenti”, u shpreh ai.

    Ndërkohë i pyetur se do të jetë AKR pjesë e Qeverisë, Gashi nuk ka konfirmuar një gjë të tillë, vetëm se ka thënë që kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka pasur një bisedë me Behgjet Pacollin lidhur me këtë çështje.

    “Sa i përket zotit Pacolli e dini se nëse na ka mësu diçka kjo çështja e koronës na ka mësuar të komunikojmë në distancë. Nuk di a do të jetë në seancë por Mustafa ka komunikuar me të.  Sa i përket letrës së presidentit kemi këndvështrime të ndryshme, është letër njoftuese dhe nuk ka bazë të dërgohet në Kushtetuese”, u shpreh ai. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!