Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Josep Borell, sot pasdite pritet të takohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes një deklarate dhënë pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, shkruan Reporteri.net.
“Sot pasdite z.Borrell takohet me Presidentin Biden”, ka shkruar Kurti në postimin e tij në Facebook.
Ndryshe, nën ndërmjetësimin e Borell dhe emisarit special të BE-së, Miroslav Lajçak, kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq, u përballën sot për herë të parë në një takim në Bruksel.
Kurti ka thënë se janë pajtuar që takimi i radhës të vazhdojë më 25 korrik.
Ai ka thënë se në këtë takim treguan qëndrimin e tyre kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme dhe gatishmërinë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë.
Kurti ka thënë se nuk janë pajtuar për agjendën e dialogut të ardhshëm dhe se ai ka bërë katër propozime në këtë takim.
Në anën tjetër, Vuçiq ka treguar se në këtë takim kanë pasur mospajtime të mëdha me palën kosovare.
Vuçiq tha se delegacioni kosovar nuk dëshiroi të flasë për Asociacionin dhe se në takim i kërkoi tri gjëra. /Reporteri.net