×
  • Lajme
  • Lajme

    Sot përfundon afati shtesë për kandidim për zgjedhjet në veri

    Reporteri
    25 Nëntor 2022 | 8:59
    Mitrovicë e Veriut

    Në orën 16:00, do të përfundojë edhe afati shtesë për subjektet politike (partitë politike, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) që duan të dorëzojnë në KQZ emrat e kandidatëve të tyre për kryetar në ndonjërën nga katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme më 18 dhjetor 2022.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se që nga 15 nëntori dhe deri më tani, kanë aplikuar 3 subjekte politike, ku vetëm njëra prej tyre ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve, ndërsa dy të tjera vetëm nga një kandidat.

    Sipas KQZ-së, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për katër komunat (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok); Iniciativa Qytetare Mitrovica vetëm për një komunë (Mitrovicë e Veriut); ashtu si edhe Partia Kosovskih Srba (Leposaviq).

    Të hënën e 21 nëntorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte marrë vendim që të ndryshonte disa afate të aktiviteteve zgjedhore, në mesin e të cilave edhe afati për aplikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhjetorit. Sipas vendimit të KQZ-së, ky afat i paraparë të përfundonte më 21 nëntor ishte shtyrë deri më 25 nëntor. ​

    Një ditë më parë, KQZ-ja ka bërë të ditur se është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna.

    Pas dorëheqjes së katër zyrtarëve të KQZ-së që kanë punuar në katër komunat veriore, ky institucion ka caktuar katër ushtrues detyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!