×
  • Lajme
  • Fokus / Ngërçi në Kuvend
    INSTANT

    Sot përpjekja e 38-të për konstituim, partitë me interpretime të ndryshme të aktgjykimit të Kushtetueses

    Reporteri
    27 Qershor 2025 | 7:19

    Deputetët do të mblidhen sërish sot në një përpjekje të re, të 38-ën me radhë, për ta konstituar Kuvendin. Procesi ka ngecur tek zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit.

    Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

    Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Sipas partisë së parë, Vetëvendosjes, obligimi për të pëfunduar konstituimin e Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.

    Po ashtu Vetëvendosje vlerëson se zgjedhja e kryetarit dhe ajo e nënkryetarëve janë në nivel të barabartë.

    Sipas interpretimit të Vetëvendosjes votimi i fshehtë nuk paraqet shkelje të Kushtetutës.

    Aktgjykimin e Kushtetueses e ka mirëpritur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha “Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin”.

    Krasniqi ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët që seanca konstituive të përfundojë brenda 30 ditësh, “i jep fund lojës së Lëvizjes Vetëvendosje për vonesa”.

    “E kemi përkrahur me ekspertizë dhe jemi bashkuar me iniciativën e AAK-së për sqarim kushtetues, sepse besojmë fuqishëm se demokracia mbrohet përmes ligjshmërisë dhe transparencës. Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve.”, tha Krasniqi.

    Në një reagim, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive që të respektojë dispozitat kushtetuese dhe rregulloren e punës së Kuvendit, duke iu rikthyer skenarit të dakorduar për zhvillimin e seancës dhe për të proceduar me votim të hapur.

    “Po ashtu, siç e përcakton neni 187 i aktgjykimit, kryesuesi i seancës konstituive duhet të respektojë dispozitat kushtetuese, Kapitullin IV të Rregullores së Punës së Kuvendit dhe praktikat e deritashme parlamentare, si dhe t’i kthehet skenarit të dakorduar të seancës konstituive për të proceduar me votim të hapur”, vijon reagimi i tyre.

    E Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, iu ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi konstituimin e Kuvendit.

    Derisa përmendi vendimin që thotë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve, Haradinaj ka thënë se Kushtetuesja ka krijuar bazë ligjore “për të dalë nga ngërçi i krijuar”.

    “Në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit, një rast i padëgjuar ky për botën demokratike, kemi kërkuar rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nuk e kemi bërë për interesa partiake, por për interes të vendit dhe të zbatimit të vullnetit të shprehur me votë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025. Këtë kërkesë tonën nuk e kemi shndërruar në çështje e as në kauzë politike”, ka thënë Haradinaj.

    Ai shtoi se vendimi i Kushtetueses është lehtësues.

    Seanca e sotme pritet të nisë në ora 11:00.

    Kurti i fton për takim liderët partiakë pas aktgjykimit të Kushtetueses

    Reporteri
    27 Qershor 2025 | 10:06

    Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje,  Albin Kurti, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i ka ftuar në takim për nesër krerët e partive të tjera politike.

    Kurti ka shkruar se aktgjykimi i Kushtetueses thekson qartë se konsituimi i Kuvendit është obligim i të gjithë partive, dhe jo vetëm i subjektit të parë.

    Takimi pritet të zhvillohet nesër (e shtunë), në ora 16:00.

    “Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti.

    Vetëvendosje thërret konferencë për media para seancës së sotme, flasin Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu

    Reporteri
    27 Qershor 2025 | 8:13

    Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur konferencë për media, sot në ora 10:00, një orë para seancës konstituive të Kuvendit, ku për herë të 38-të pritet të tentohet konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

    Konferenca vjen pasi Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

    Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Sipas partisë së parë, Vetëvendosjes, obligimi për të përfunduar konstituimin e Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Po ashtu Vetëvendosje vlerëson se zgjedhja e kryetarit dhe ajo e nënkryetarëve janë në nivel të barabartë.

    Sipas interpretimit të Vetëvendosjes votimi i fshehtë nuk paraqet shkelje të Kushtetutës.

    Në konferencën  sotme të VV-së pritet të flasin Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!