×
  • Lajme
  • Lajme / Në ora 11:00

    Sot përurohet pikëkalimi i përbashkët Kosovë-Maqedoni e Veriut në Bllacë

    Reporteri
    12 Prill 2025 | 8:00

    Sot pritet të përurohet pikë-kalimi i përbashkët kufitar “Hani i Elezit – Bllacë”.

    Në njoftimin e qeverisë në detyrë thuhet se hapja do të fillojë nga ora 11:00, dhe bëhet në bashkëpunim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

    Pjesëmarrës do të jenë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski, dy ministrat e Punëve të Brendshme nga dy vendet si dhe figura të tjera politike.

    Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, në shkurt kishte njoftuar se në prill të këtij viti do të fillojë funksionimi i sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar, i njohur si “One Stop Shop”, në pikën e Bllacës, që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën.

    Sipas Toshkovskit, ky sistem do të thjeshtojë procedurat kufitare, duke lejuar që qytetarët e të dyja vendeve të kontrollohen nga një polic i vetëm doganor, duke reduktuar “kohën e pritjes dhe duke lehtësuar kalimin e kufirit mes dy shteteve”.

    “Në kuadër të një platforme të përbashkët ‘cloud’, të dhënat ndahen mes dy ministrive përkatëse, me qëllim që të mundësohet hyrja e qytetarëve të Kosovës në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas, vetëm përmes konstatimit nga një zyrtar policor”, kishte thënë Toshkovski, siç raportonte REL.

    Këto deklarata ministri i kishte bërë gjatë një vizite në pikën kufitare të Bllacës, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti dhe homologun e tij nga Kosova, ministrin tashmë në detyrë Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Sveçla kishte thënë se kjo do t’ia reduktojë kohën qytetarëve që kalojnë kufirin.

    “Për qytetarët e të dyja vendeve është shumë me rëndësi që kalimi të jetë sa më i shpejtë. Për organet e shtetit është që ato të jenë sa më të sigurta. Patjetër se ne po i shfrytëzojmë të arriturat e fundit të teknologjisë që të zvogëlojmë burokracinë, por jo në kurriz të sigurisë, por në të mirë të kohës së qytetarëve”.

    Pika kufitare në Bllacë është përballur kohët e fundit me kolona të gjata në të dy anët e kufirit. Procesi për krijimin e pikave të përbashkëta kufitare ka filluar në qershor të vitit 2024

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!