×
  • Lajme
  • Lajme

    Sot pret të bëhet kryeministër – kjo është pasuria e Avdullah Hotit

    Reporteri
    03 Qershor 2020 | 10:13

    Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pritet që sot të propozojë para deputetëve në Kuvendin e Kosovës qeverinë e tij.


    Seanca e Kuvendit të Kosovës e planifikuar për sot në ora 11:00 do të vendosë nëse Hoti do të jetë kryeministër i vendit ose jo, pasi që sot ka zëra se i njëjti nuk i ka siguruar ende votat e nevojshme për këtë, shkruan lajmi.net.

    Në anën tjetër, dekretimi i Hotit nga presidenti Thaçi u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje – por që u vlerësua të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën.

    Hoti, i cili ishte ministër i Financave në qeverinë PDK-LDK gjatë viteve 2014-2017, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër në vitin 2017 dhe zëvendëskryeministër i Kurtit në vitin 2020, nesër pret që të votohet qeveria e udhëhequr nga vet ai.

    Por, cila është pasuria e ‘kryeministrit në ardhje’?

    Në deklarimin e pasurisë në vitin 2020, Hoti ka prezantuar 3 pozita të punës që i mbanë, si deputet i Kuvendit të Kosovës, profesor me gjysmë norme në Universitetin e Prishtinës dhe profesor me kontratë për orë mësimore për vit akademik në Kolegjin Dardania.

    Hoti gjithashtu ka në pronësi 3 banesa të cilat i ka blerë gjatë viteve 2010 – 2018 të cilat i ka deklaruar në pronësi të përbashkët me gruan e tij. Të tri këto banesa së bashku kapin shifrën e 233,000 euro pasuri e paluajtshme.

    E sa i përket parave të gatshme nëpër banka, Hoti nuk ka shumë. Ai i ka pak mbi 1300 euro në dy banka të Kosovës, derisa para të gatshme bashkëshortja dhe fëmijët e Hotit së bashku gjithashtu i kanë rreth 1500 euro.

    Hoti gjithashtu ka detyrime financiare. Ai e ka një kredi prej 27,626 euro, ndërsa i detyrohet gjithashtu edhe një institucioni arsimor për parapagim dy vjetor për ushtrimin e profesionit të profesorit, shkruan lajmi.net. Përveç kësaj, Hoti i detyrohet edhe 5 mijë euro një personi fizik për huazim për blerjen e truallit.

    E sa i përket të hyrave vjetore Hoti ka deklaruar pagën e tij si mësimdhënës dhe atë të deputetit në vitin 2019 që së bashku kapin shifrën e të hyrave vjetore prej rreth 33,700 euro, shkruan lajmi.net.

    Gjithashtu, bashkëshortja e Hotit ka të hyra vjetore prej 6,910, ndërsa, Hoti gjithashtu ka të hyra vjetore edhe nga një banesë të cilën e ka të lëshuar me qira, nga mëditjet, paga sekondare në Universitetin e Prishtinës.

    Në anën tjetër, pritet që Hoti nesër të propozojë qeverinë e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!