×
  • Lajme
  • Lajme / Në ora 09:45

    Sot seanca ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të dyshuar për spiunazh

    Reporteri
    17 Mars 2025 | 7:25

    Sot pritet të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët  janë të dyshuar për spiunazh për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

    Seanca ndaj tyre pritet të mbahet me fillim nga ora 09:45.

    Bedri Shabani akuzohet se ka ndihmuar Agjencinë e inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë që njihet si BIA, në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që ndërlidhen me UÇK-në përfshirë eprorët e saj si dhe me ngjarjet dhe objektet si spitali ushtarak i UÇK-së në fshatin Molopollc të Shtimës dhe masakrën e Reçakut në atë mënyrë që i pandehuri të dhënat dhe informacionet në fjalë ia kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-së Sergjan Rosiq, përgjegjës për regjionin e Pançevës si dhe kolonel Bogolup Janiveviq ish-komandant i policisë së Serbisë në regjionin e Ferizajt, gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit ushtarak në masakrën e Reçakut.

    Bedri Shabani akuzohet se e ka ndihmuar BIA-n në krijimin e një narrative të pavërtetë me qëllim që të ndërlidhë spitalin ushtarak të UÇK-së të Molopollcit të Shtimes me të ashtuquajturën ‘Shtëpia e verdhë’ në Burrel të Shqipërisë, kinse janë bërë trafikim organesh, si dhe ka vënë në dyshim të vërtetën e Masakrës së Reçakut.

    Sipas aktakuzës të pandehurit me këto veprime e kanë rrezikuar dhe dëmtuar rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.

    Edhe Muharrem Qerimi akuzohet se e ka kryer veprën penale “Spiunazh”, sipas kodit penal të Republikës së Kosovës.

    Muharrem Qerimi nga viti 2012 e në vazhdimësi nga arrestimi i tij e deri më datë 5.06.2024 e ka ndihmuar BIA-n në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve dokumenteve dhe materialeve të ndryshme që kanë të bëjnë me luftën dhe pjesëtarët e UÇK-së, emrat e eprorëve të Policisë së Kosovës, IKP-së, AKI-së, pastaj emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, pastaj në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionin e të cilat informacione ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiq.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!