×
  • Lajme
  • Lajme / Sulmi terrorist

    Sot sërish seancë për rastin “Banjska”, dëgjohen dy dëshmitarë

    Reporteri
    12 Qershor 2025 | 8:58

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot do të mbahet seanca e radhës për rastin “Banjska”, e treta për këtë javë.

    Gjatë ditës pritet të dëgjohen deklaratat e dy dëshmitarëve, njëri prej të cilëve dëshmon në orën 11:30, kurse tjetri nga ora 13:00.

    Në seancën e djeshme u dëgjua dëshmia e policit Mirsad Kryeziu, që në detaje përshkroi momentin e sulmit që i mori jetën rreshterit Afrim Bunjaku.

    Sipas Kryeziut, intensiteti i sulmit ka qenë jashtëzakonisht i madh, nga një strukturë ushtarake e organizuar mirë. Përpara trupit gjykues, Kryeziu rrëfeu në detaje ditën kritike të 24 shtatorit, me theks të veçantë tërheqjen e Afrim Bunjakut nga vendi ku ndodhi sulmi.

    “Nga përvoja ime policore tashmë 25 vjet dhe nga përvoja e luftës, e njoh mirë llojin e armatimit dhe efektin e tyre. Nga viti 2002 e deri tashti, unë kam shërbyer vetëm në njësi të specializuara dhe kam kryer trajnime të shumta në lidhur me përdorimin e armëve dhe njohjen e tyre. Prandaj po them se armët kanë qenë të kalibrit të ndryshëm”, përshkroi Kryeziu.

    Gjykimi po mbahet ndaj Blagoje Spasojeviqit, Vladimir Toliqit dhe Dushan Maksimoviqit, vetëm tre nga 45 pjesëtarët e grupit terrorist që, në krye me Milan Radojçiqin, organizuan dhe kryen sulmin që tronditi vendin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!