Speca me krimba servohen në kuzhinën qendrore të QKUK-së

Speca të fërguar me krimb janë servuar gjatë ditës së djeshme në kuzhinën qendrore të QKUK-së. Këtë e mohon shefi i kuzhinës Fisnik Dobra.


Speca të fërguar me një krimb në mes janë servuar dje në tavolinën e një mjeku në kuzhinën qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.

Mjeku që ka dërguar fotografitë në adresë të Gazetës, e i cili ka dashur të mbetet anonim, është ankuar se përveç që iu servohet ushqim jo cilësor në drek kanë gjetur edhe krimba.

Gazeta ka kontaktuar me shefin e kuzhinës qendrore Fisnik Dobra i cili ka deklaruar se gjatë ditës së djeshme nuk kanë pasur asnjë ankesa nga stafi i QKUK-së të cilët kanë ngrënë drek aty.

Ai ngrit dyshime se kjo është bërë me qëllim nga ndonjë person që sipas tij mund të ketë qëllime të këqija.

“Në drekë kemi pasur supë, speca, sallatë, gjellë me mish dhe desert. Pse është fotografuar vetëm gjysma e tabakut dhe jo komplet? Kjo është bërë me qëllim që të duket pak ushqime, pra është bërë me qëllim nga dikush që don të na njollos”.

“Si është e mundur që specat të piqen në temperaturë mbi 200 gradë celsius dhe krimbi të jetë në gjendje aq të mirë si me qenë i gjallë?! Nëse zmadhohet fotografia ku është krimbi atij i duken edhe këmbët e holla dhe ato si fije floku. Kjo nuk ka asnjë mundësi që të ndodhë në temperatura aq të larta sepse ai i pjekë edhe ishte bërë si rrëmojëse”, ka deklaruar Dobra.

Ai ka thënë se gjatë bisedës me punonjësit e kuzhinës, sipas tij në drek nuk është ankuar askush.

Megjithatë kjo nuk është hera e parë që stafi i QKUK-së ankohen për cilësinë e ushqimit në kuzhinën qendrore për çka është raportuar në media disa herë.