Katolikët e Kosovës të indinjuar me përmbajtjen e komunikatës së Gjykatës Speciale.
Kishin fe të ndryshme, por ideal të njëjtë.
Afër 380 shqiptarë myslimanë e katolikë, janë të varrosur bashkë këtu në Meje të Gjakovës.
Të gjithë këta, u vranë mizorisht me 27 prill të vitit 99, nga forcat serbe.
Që nga ajo kohë, Gjokë Sokoli, çdo ditë vjen për t’i kujtuar familjarët e tij të vrarë.
Por, Gjokë Sokoli u ndije i fyer një ditë më parë nga një komunikatë e Gjykatës Speciale.
Kur ky mekanizëm i drejtësisë njoftoi për aktakuzën ndaj krerëve të UCK-së, aty thoshte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishte synim vrasjen e katolikëve.
Kjo komunikatë e ka indinjuar Sokolin i cili thotë se ishte pikërisht Serbia që vrau shqiptarët, pasi nuk arriti t’i përçajë mes vete.
Ndërkohë, për të mos lejuar që pretendimet e tilla një ditë të merren si të vërteta, Gjokë Sokoli nga paslufta hapi këtë muze në shtëpinë e tij.
Në hyrje të tij, ai vendosi pikërisht fotografitë e familjarëve të vrare në Mejë.
Por, këtu mblodhi edhe mjetet që forcat serbe i lanë pas, kur u larguan nga fshati Mejë.
Pikërisht më këto, ata torturuan, vranë e masakruan shumë shqiptarë.
E nuk munguan as substancat narkotike.
E Sokoli u kujdes që të gjitha këto krime të serbëve, të mbesin edhe të dokumentuara.
Madje, vetëm për masakrën e Mejës, ai shkroi edhe dy libra.
Përveç pesë të vrarëve, Gjokë Sokoli, thotë që ende nuk di për fatin e motrës së zhdukur.