Gjykata Speciale është aktivizuar këtë javë ku kreu bastisje në shtëpinë e ish-eprorit të UÇK-së, Sylejman Selimi, kontaktoi ish-zëvendës kryeministrin Hajredin Kuçi dhe ia konfiskoi telefonin ish-komandantin të UÇK-së, Sami Lushtaku, shkruan Reporteri.net.
Me vendim të Dhomave të Specializuara në Hagë, më 7 mars u bastis shtëpia e ish-Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimit, në lagjen “Qëndresa” në Veternik.
Zëdhënësi i Zyres së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett e konfirmoi për Reporteri.net se “Gjykata Speciale po kryen operacione të vazhdueshme”.
Avokati i Selimit, Artan Qerkini në ditën e bastisjes tha para mediave se Selimi nuk e ka statusin e personit të dyshuar, por se bastisja është kryer meqë mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pasur prova që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë.
“Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bastisur shtëpia e z.Sylejman Selimi. Fillimisht vlen të theksohet se ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar, por sipas urdhërit të gjykatës mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pas prova që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë”, tha Qerkini para gazetarëve.
Qerkini pati vërejtje lidhur me urdhrin për bastisje.
“Ne i kemi disa vërejtje në vet urdhërin. Mendojmë se nuk është lëshuar në përputhje me dispozitat ligjore e për më shumë i cenon edhe disa të drejta kushtetuese të personave sepse nuk mund të cenohet privatësia e një personi me urdhër të gjykatës nëse ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar”, tha Qerkini.
Po më 7 mars u raportua se cak i bastisjeve ishte edhe shtëpia e ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, por ky i fundit e mohoi një gjë të tillë, duke thënë se vetëm është kontaktuar nga zyrtarët e Speciales.
Kuçi i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit, tha se nuk ka pasur bastisje por ka pasur një kontakt me ta lidhur me punën e tij.
“Nuk ka pasur bastisje në shtëpinë time. Jam takuar me zyrtare te Speciales vetëm për shkak të punës që e bëjë, për shkak të angazhimit që e kamë në një rast atje”, ka thënë ai për Tëvë1.
Ndërsa mbrëmë më 8 mars, ish-komandanti i UÇK-së dhe nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku, u ftua për t’u paraqitur në zyrat e EULEX-it.
Pas një ore Lushtaku u lirua, por atij iu konfiskua telefoni. Këtë e konfirmoi për Reporteri.net djali i tij, Mërgim Lushtaku.
“I është ndalur telefoni pa asnjë arsye. Nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak. Ka qenë në një takim., Pas takimit e kanë ndaluar”, tha Mërgim Lushtaku.
Sipas tij kjo mënyrë e ndalimit është shumë shqetësuese.
“Është shqetësuese sepse duhet pasur një rregull pse është ndaluar por jo vetëm pse kanë mundësi ta ndalin”, tha ai.
Kujtojmë se në fund të vitit të kaluar, Specialja pati zhvilluar një seri bastisjesh ndaj ish-këshilltarëve të presidentit Hashim Thaçi, si Blerim Shala dhe Artan Behrami.
Në Gjykatën Speciale aktualisht janë duke u zhvilluar disa gjykime ndaj ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deri më tani, gjykata ka dënuar ish-eprorin e UÇK-së, Salih Mustafa me 22 vjet burgim për krime lufte si dhe janë shqiptuar dënime për pengimin e drejtësisë për dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj./Reporteri.net/.