×
  • Lajme
  • Lajme / Hagë

    Specialja shfajëson vetën nga vonesat në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, akuzon mbrojtjen për procesin e ngadaltë

    Reporteri
    04 Mars 2024 | 11:51

    Zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle ka aluduar se ekipet mbrojtëse në Hagë po vonojnë procesin gjyqësor ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Ai në një intervistë për KTV, ka thënë ndër të tjera se nëse mbrojtja i redukton pyetjet e veta, procesi do të shkurtohej.

    Por, Doyle nuk ka përmendur faktin se krerët e UCK-së ishin arrestuar në nëntor të vitit 2020 dhe tek në prill 2023 kishte nisur gjykimi – dy vjet e gjysmë vonesë për shkak se prokuroria nuk ishte gati të fillonte ta mbronte rastin.

    Prokuroria e Specializuar e kishte vonuar këtë proces duke qenë se ishte vet ajo që mbante deri vonë materialet e redaktuara, duke ia pamundësuar mbrojtjes zhvillim të duhur të hetimeve të saja.

    Vet prokuroria e Hagës ka propozuar rreth 320 dëshmitarë dhe numrin e orëve që iu duhen për t’i përfunduar. Janë vetëm 47 dëshmitarë që kanë dalë në sallën e gjyqit deri më tani, dhe 80 % e tyre në seanca tërësisht të mbyllura, me kërkesë të prokurorisë.

    Prokuroria ka paralajmëruar se do të reduktojë një numër të dëshmitarëve.

    Zëdhënësi Doyle ka thënë se gjyqtarët kanë kërkuar nga palët që t’i reduktojnë projeksionet, në mënyrë që gjykimi të arrihet drejt fundit, dikur kah prilli 2025.

    Një element që është vërejtur gjatë këtij gjykimi, e që ka mundur të shënojë vonesa të shtuara, ka qenë marrja në pyetje e dëshmitarëve nga ana e gjyqtarëve.

    Rasti i vetëm i cili pritet të përfundoj në Speciale këtë vit, Doyle thotë se është ai i Pjetër Shalës.

    “Në rastin e zotëri Pjetër Shala, fjalët përfundimtare do të mbahen nga 15 deri më 19 prill. Pas fjalëve përfundimtare, rasti mbyllet dhe gjykatësit tërhiqen në një diskutim. Korniza ligjore thotë se aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditësh, vetëm nëse ndonjë rrethanë kërkon një zgjatje të mëtejme të këtij afati. Pra, mund ta shohim këtë rast këtë vit të përfunduar në shkallë të parë”, ka deklaruar për TV Dukagjinin, Michael Doyle – zëdhënës i Dhomave të Specializuara.

    Ndryshe nga rasti i Shalës, rasti kryesor pranë këtyre Dhomave, ai kundër ish-krerëve të UÇK-së, është larg përfundimit.

    Doyle tregon se në maj pritet të dihet më shumë në lidhje me afatet kohore të këtij procesi.

    “Prokuroria deri më tani ka thënë se ata planifikojnë që ta përfundojnë pjesën e tyre, thirrjen e dëshmitarëve dhe prezantimin e rastit të tyre deri në prill të vitit 2025. Pas kësaj, mbrojtja do ta ketë mundësinë për të kërkuar hedhjen poshtë të akuzave. Pastaj mbrojtja do ta ketë mundësinë që ta paraqesin rastin e tyre dhe të thërrasin dëshmitarët. Në këtë moment nuk mund të japim një vlerësim të përgjithshëm se sa do të zgjasë procesi”, shtoi ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!