×
  • Lajme
  • Lajme

    Stano thotë se BE-ja pajtohet “qind për qind” me Escobarin për problemet në komunikim me Kurtin

    Reporteri
    13 Mars 2024 | 15:02
    Peter Stano, zëdhënës në Bashkimin Evropian

    Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano, ka komentuar deklaratat e emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për problemet në komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Stano në një konferencë për media tha sot se qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së për Kosovën  “përputhen qind për qind”.

    “Kur është fjala për Kosovën dhe sjelljen e qeverisë aktuale në Prishtinë, qëndrimet e BE-së dhe partnerëve tanë amerikanë janë 100 për qind konsistente”, tha Stano.

    Gjatë ditës së djeshme, emisari amerikan, Gabriel Esobar, ka rikonfirmuar edhe një herë “telashet” e SHBA-së me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Siç tha zëvendës-ndihmës Sekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike i SHBA-së, problemi qëndron tek komunikimi, ndonëse theksoi se “partneriteti mes SHBA-së është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës”.

    “Kjo nuk varet nga një njeri apo një parti”, shtoi Escobar.

    Sipas emisarit amerikan, “telashe” me Kryeministrin Kurti nuk ka veç SHBA-ja, por edhe partnerët tjerë, si BE, NATO e Britania e Madhe. Ai e veçoi edhe Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

    “Por do të thosha se së fundmi kemi problem me komunikim me kryeministrin Kurti. Nuk është vetëm SHBA-ja. Nuk është problem që e ka vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova në komunikimet me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, dhe me shumë shtete të tjera, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dikur kemi pasur partneritet më të mirë dhe ne duam që të kemi partneritet të tillë”, tha Escobar, dje në një diskutim online me gazetarë. /Reporteri.net/

    Escobar rikonfirmon “telashet” e SHBA-së me Kurtin: Kemi problem me komunikimin – jo veç ne, edhe BE, NATO dhe Britania

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!