Reshjet e dendura dhe stuhia që kanë përfshirë vendin kanë shkaktuar dëme edhe në disa zona të Kosovës.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se në hyrje të Shtërpcës, në rrugën R115, si pasojë e stuhisë janë rrëzuar disa drunj, duke shkaktuar dëme edhe në disa automjete.
Sipas njoftimit, ekipet e mirëmbajtjes kanë intervenuar menjëherë në terren për largimin e drunjve dhe pastrimin e rrugës.
“Pas ndërhyrjes së ekipeve në terren, rruga është liruar dhe aktualisht është e qarkullueshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Nga Ministria kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kushteve të vështira atmosferike, duke u kërkuar qytetarëve që të shmangin qarkullimin e panevojshëm gjatë reshjeve të dendura dhe të përshtatin vozitjen me kushtet në rrugë.