Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmë në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, prej ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Pas shpërthimit, kanë reaguar fuqishëm edhe partnerët ndërkombëtar, duke i orfuar mbështetje Qeverisë së Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Ambasadori i SHBA’së, Jeffrey Hovenier, i cili e dënoi tha se ShBA’të po e monitorojnë situatën nga afër dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre për të siguruar që ata që janë përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi.
ShBA’të kanë dënuar edhe sulmet e fundit me granata në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit më 28 nëntor.
“Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në solidaritet me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë këtyre sulmeve kriminale”, shkroi Hovenier
Edhe Britania e Madhe ka dënuar këtë sulm. Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves përmes një shkrimi në Facebook tha se ky sulm duhet të hetohet shpejt se a është bërë me qëllim, pasi ka pasoja të rënda për furnizimet me ujë dhe energji.
“Incidenti serioz në Zubin Potok sonte ka pasoja potencialisht të rënda për furnizimin me energji dhe ujë në komunitete të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës. Duhet të hetohet shpejt për ndonjë sulm të qëllimshëm ndaj infrastrukturës kritike”, tha ambasadori britanik.
Ka reaguar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili e ka dënuar fuqishëm sulmin në kanalin kryesor të Ibër Lepencit.
Në një postim në platformën X, ai ka theksuar se ky sulm prek të gjitha komunitetet në mbarë Kosovën.
“Bëjmë thirrje për hetim të plotë dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme të mbështesë autoritetet kosovare”, ka thënë Rohde.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, e dënoi shpërthimin, teksa shtoi se u ka ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës.
“Dënoj incidentin e rëndë që shkaktoi dëme në kanalin ujor në Zubin Potok që po privon pjesë të konsiderueshme të Kosovës nga furnizimi me ujë. Unë u kam ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës. Ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Orav në X.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se janë duke hetuar të gjitha rrethanat se si ka ndodhur shpërthimi. /Reporteri.net/.