×
  • Lajme
  • Lajme / Video

    Sulmi ndaj Gazmend Muhaxherit, krejt çka dihet deri tani

    Reporteri
    26 Tetor 2024 | 12:34

    Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është sulmuar sot në mëngjes fizikisht  nga dy persona. Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. I pari i Pejës pas sulmit është lajmëruar përmes një postimi në Facebook ku ka treguar se është shëndoshë e mirë, shkruan Reporteri.net.

    Gazeta Online Reporteri.net do t’iu sjell një përmbledhje se krejt çka dihet deri tani për rastin në fjalë.

    Gazmend Muhaxheri, kryetar i Pejës sot në mëngjes u sulmua fizikisht nga dy persona. Këtë e konfirmoi për Gazetën Online Reporteri.net zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova. Ai konfirmoi se janë arrestuar dy të dyshuarit për sulm.

    “Sot rreth orës 08:50, në rrugen Bill Klinton, është sulmuar nga dy persona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lendime trupore, të dyshuarit janë arrestuar. Me urdhër të Prokurorit të shtetit të dyshuarit ndalohen për 48-orë”, ka thënë Rugova për Reporteri.net.

    Për sulmin ndaj Muhaxherit dha detaje edhe Prokuroria e Rajonit të Pejës.

    Zëdhënësi i Prokurorisë për Rajonin e Pejës, Shkodran Nikçi, konfirmoi për Reporteri.net se dy personat që dyshohet se sulmuan fizikisht Muhaxherin, janë ndaluar për 48 orë.

    Ai tha se në koordinim të plotë me Policinë po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

    “Dy persona janë ndaluar për 48 orë për shkak se kanë sulmuar Kryetarin e Komunës së Pejës dhe i kanë shkaktuar lëndime trupore. Të njëjtit janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë ndaluar për 48 orë nga prokurori i shtetit. Gjithashtu janë duke u marrë të gjithë veprimet e nevojshme në koordinim me Policinë e Kosovës për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Nikçi për Reporteri.net.

    Pas konfirmimeve nga Policia e Prokuroria për sulmin fizik që ndodhi, reagoi pas disa orësh vet kryetari Gazmend Muhaxheri përmes një postimi në Facebook ku tha se është shëndoshë e mirë.

    Ai ka publikuar një foto ku shihet mes familjarëve e miqëve.

    “I rrethuar mes miqëve. Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falenderoj të gjithëve për interesimin”, ka shkruar ai.

    Dukagjin Kërveshi, avokat i Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, ka dhënë detaje lidhur me sulmin që i ndodhi këtij të fundit.

    Kërveshi ka thënë se Muhaxheri kishte duke pirë kafe me një familjar të tij dhe se në largim e sipër është sulmuar nga dy persona.

    Sipas Kërveshit, Muhaxheri ka deklaruar në Polici se beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare.

    “Në cilësinë e avokatit të Kryetarit të Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, njoftoj opinionin se sot rreth orës 8:40 në qytetin e Pejës në vendin e njohur si “Qendra Zejtare” pasi i njejti kishte pirë kafe me një familjar të tij, në largim e sipër, kryetari Muhaxheri ishte sulmuar nga dy persona fillimisht të panjohur. Sulmi kishte qenë i befasishëm. Kryetari Muhaxheri tashmë ka dhenë deklaratën në polici dhe se i njejti beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare”, ka thënë avokati Kërveshi.

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!