×
  • Lajme
  • Lajme

    Sulmi ndaj gruas rome në Lipjan, reagojnë politikanët

    Reporteri
    29 Maj 2019 | 22:35

    Sot në media dhe rrjete sociale bëri bujë imazhi i një gruaje me pamje të çuditshme, e për të cilën thuhej se kidnapon fëmijë që sheh vetëm në rrugë.


    Me të dal në media fotoja e saj, qytetarët e pothuajse të gjitha qyteteve nisën të tregojnë se e kanë parë në komunat e tyre.

    Ajo sot u ndalua në qytet edhe nga policia, por e cila më pas u la e lirë, pasi nuk kishte ndonjë akuzë për të.

    Derisa po ecte në sheshin ‘Adem Jashari’ në Lipjan, gruaja që thuhet se është nga komuniteti rom të Podujevës, sulmohet nga disa fëmijë.

    Pos brohoritjeve që fëmijët ia bëjnë asaj, njëri nga ta e godet dhe e rrëzon për toke.
    Politikanët i kanë dale në mbështetje gruas grome dhe po kritikojnë raportimet e mediave që iu drejtuan si “hajdut i fëmijëve”.

    Ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku ka thënë se pretekstet ishin pohime të paverifikuara dhe është turp e marrëzi e gjithë kjo çfarë ndodhi sot.

    “Një qytetare e Kosovës, e përkatësisë rome, u sulmua nga disa të rinjë në pikë të ditës. Pretekst ishin disa pohime të paverifikuara të cilat u raportuan në disa mediume të Kosovës. Turp dhe marrëzi”, tha Çitaku.

    Ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili tha se po tregohemi trima me një grua të shkretë që sulmohet e linçohet, por që jemi qingja e të durueshëm më grabitësit e vërtetë.
    “Trima e azganë me një grua të shkretë që sulmohet, linçohet e përshkruhet si monstrume.Qingja e të durueshëm me grabitësit e vërtetë; kapës politik që s’lënë gjë pa fëlliqë e pasuri pa vjedhë”, deklaroi Abdixhiku.

    Kurse kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se është turp për mungesën e edukatës themelore, për mungesën e mendimit kritik si dhe për mosguximin me parandalu gjëra të tilla.

    Ai shtoi gjithashtu se kur nuk punojmë çdo ditë për të luftuar paragjykimet, stereotipet e shpifjet, ditën e sulmeve është vonë të vajtojmë.

    “Një dezinformatë mbi një qytetare që po “rrëmben” fëmijë u shpërnda pa kurrfarë verifikimi as mendimi mbi pasojat. Sulmi mbi të nga disa të rinj sot është mentalitet i turmës. Por mbi të gjitha është turp i joni.Turp për faktin që shpërndajmë lajme të tilla. Turp për mungesën e edukatës themelore. Turp për mungesën e mendimit kritik. Turp për mosguximin me parandalu gjëra të tilla. Turp për paragjykimet e stereotipet që i kemi. Turp për mos mbrojtjen e grupeve të margjinalizuara të shoqërisë.Sot u sulmua një qytetare, një grua. Fakti se ishte rome ndoshta i lehtëson racistët në shtetin tonë, por në fakt duhet të rëndojë tepër shumë të gjithë ata që mendojnë se shteti jonë është i barabartë. Kur nuk punojmë çdo ditë për të luftuar paragjykimet, stereotipet e shpifjet, ditën e sulmeve është vonë të vajtojmë”, ka shkruar Ahmeti. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!