Tre të dyshuarit për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla ditën e nesërme do të paraqiten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në lidhje me seancën dëgjimore ku do të shtjellohet kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit.
Këtë e ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ndryshe, tre dyshuarit janë arrestuar mbrëmë për sulmin kundër Syles, që ndodhi të martën mbrëma në Prishtinë. Të dyshuarit janë L.D, K.H dhe O.H, ku dy nga ta raportohet se janë vëllezër mes vete.
Ministri Xhelal Sveçla njoftoi mbrëmë se tre të dyshuarit për sulmin fizik ndaj gazetari Syla, janë arrestuar dje.
“Pas një pune intensive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla. Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit”, ka shkruar i pari i MPB-së në Facebook.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës dje kanë dalë me komunikatë të përbashkët lidhur me rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.
Aty bëhet e ditur se ndaj tre personave që janë të dyshuar për sulmin, rëndohet akuza e kryerjes së veprës penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit” si dhe ceket fakti se rasti po hetohet nga Drejtoria Kundër Terrorizmit.