×
  • Lajme
  • Lajme

    Supremja aprovon pjesërisht ankesën e VV-së kundër vendimit të PZAP-së, nga 6,000 euro gjobë ia zbret dënimin në 2,000 euro

    Reporteri
    05 Korrik 2021 | 12:54

    Me 23 shkurt 2021, Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë aktgjykim me anë të së cilit është pranuar pjesërisht e themeltë ankesa e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kundër Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).


    Me vendimin e PZAP-së, ishte aprovuar e bazuar ankesa e Xh.G., kryesues i Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Junik, për shkak të mbajtjes së tubimit publik nga LVV, pa autorizim nga KKZ, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që janë mbajtur më 14 shkurt 2021.

    LVV-së i ishte shqiptuar dënimi më gjobë në lartësi prej 6,000 euro. Por kundër këtij vendimi, LVV me kohë kishte paraqitur ankesë në gjykatë, me propozim që e njëjta të miratohet. Ndërsa PZAP, në përgjigje në ankesë, i ka propozuar Gjykatës Supreme që ankesa e LVV-së të refuzohet si e pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mirëpo, ankesa është pranuar pjesërisht e themeltë nga Gjykata Supreme. Me anë të vendimit të marrë nga kolegji i përbërë nga kryetari Albert Zogaj dhe anëtarët Beshir Islami dhe Fejzullah Rexhepi, është ndryshuar  pjesërisht vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) sa i përket dënimit me gjobë të shqiptuar në lartësi prej 6,000 euro dhe është vendosur që subjektit politik LLV t’i shqiptohet dënimi me gjobë në lartësi prej 2,000 euro.

    Ndërkaq, është refuzuar  pjesërisht ankesa e subjektit politik LVV , ndërsa vendimi i PZAP-së në pjesën tjetër të dispozitivit është vërtetuar.

    Në vendimin e Supremes thuhet se me vendimin e PZAP-së, është aprovuar e bazuar ankesa e Xh. G.

    Gjykata Supreme e Kosovës thuhet se ka vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore dhe të përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës ka gjetur se ankesa e LVV-së është pjesërisht e pabazuar.

    “Nga shkresat e lëndës konstatohet se më date 11.02.2021, PZAP, ka pranuar një ankesë nga Xh. G., kryesues i Komisionit Komunal Zgjedhor, KKZ në Junik, me të cilën pretendon se subjekti politik LVV, në Junik, ka organizuar tubim elektoral pa e përfillur Rregullën Zgjedhore nr. 13/2013 neni 4 paragrafi 2, dhe si i tille ky tubim mund të cilësohet i pa autorizuar. Në përgjigjen në ankesë të datës 11.02.2021, subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e ka kundërshtuar dhe e ka vlerëson si të pabazuar ankesën e paraqitur nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve- Junik, duke i konsideruar si të pabazuara pretendimet ankimore me arsyetimin se Lëvizja Vetëvendosje – qendra në Junik përmes rrjetit social facebook ka theksuar se “ U.D “ Presidentja e Kosovës V. O. dhe kryetari i lëvizjes Vetëvendosje A. K., kanë takuar fillimisht strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në këtë vendim.

    Tutje, thuhet se më pastaj kanë bërë homazhe tek shtatorja e Edomond Hoxhës, ku iu janë drejtuar qytetarëve duke ju premtuar përmirësim në çdo institucion dhe vëmendje për Junikun, në sektorin e bujqësisë dhe turizmit si dhe kanë vizituar edhe kompaninë “L. SHPK” në Junik

    “Më tutje ka shtuar se sa i përket pretendimit të palës ankuese lidhur me një postim të një personi që jeton në botën e jashtme, i njëjti nuk ushtron asnjë funksion në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe termi i përdorur tubim elektoral nga i njëjti nuk është i vlefshëm pasi që nuk ka pasur lidhje me organizimin dhe as me njohuritë për termat e përdorur. PZAP pas shqyrtimit të ankesës së paraqitur nga Xh. G., kryesues i Komisionit Komunal Zgjedhor, KKZ në Junik, ka vendosur si në dispozitivin e aktvendimit të kundërshtuar”, thuhet tutje në vendim.

    Tutje, thuhet se për mënyrën e vendosje si në vendimin e kundërshtuar, PZAP ka arsyetuar se: “Paneli ka gjet se pretendimet ankimore, të ankuesit Xh. G., kryesues i Komisionit Komunal Zgjedhor, KKZ në Junik, janë të bazuara pasi që neni 4.2 i Rregullës Zgjedhore Nr.13/2013, lidhur me Fushatën Zgjedhore dhe Njoftimin për Ngjarjet Politike, përcakton qartë se subjekti i certifikuar politik që dëshiron të organizojë dhe të mbajë një tubim publik gjatë periudhës së fushatës zgjedhore duhet që të Zyrtari i Lartë Komunal i Zgjedhjeve i asaj Komune (ZLKZ), të dorëzojë formularin e plotësuar të Njoftimit për Mbajtjen e Tubimit Politik (FNJMTP) me së voni shtatëdhjetë e dy (72) orë përpara”.

    “Në këtë kuptim Paneli duke u mbështetur në dispozitën ligjore ka konstatuar se subjekti politik LVV, nuk e ka njoftuar organin kompetent të Komunës, në këtë rast ZLKZ, për mbajtjen e këtij tubimi, ashtu siç parashihet me dispozita ligjore në fuqi, andaj mbi këtë bazë dhe në kuptim të nenit 118 paragrafi 1 dhe 120.1.c të LZP-së, PZAP-i, vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi. Lidhur me përgjigjen e subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, Paneli ka vlerësuar se më këtë përgjigje subjekti politik LVV, nuk e mohon se e ka realizuar një vizite të tille në Junik, prandaj duke u nisur nga gjendja e konstatuar faktike, Paneli ka konstatuar se nga provat e ofruara shihet qartë se nga ana e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i njerëzve, duke i’u drejtuar me fjalët në këtë tubim, me të cilën është shkelur dispozita e lartcekur e LZP-së, si dhe neni 7 paragrafi 2 i Rregullës Zgjedhore Nr.13/2013”, thuhet në vendim.

    Sipas vendimit të Supremes, Paneli, me rastin e vendosjes se gjobës si në dispozitiv të këtij vendimi, ka marrë parasysh të gjitha rrethanat si në vijim: natyrën e shkeljes dhe ndikimit të mundshëm të saj në procesin zgjedhor në fjalët, shkallën dhe peshën e shkeljes, pjesëmarrjen e subjekti politik në zgjedhjet e mëparshme që konsiston në faktin se subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë i njoftuar me obligimet dhe përgjegjësit gjatë procesit të fushatës, shkeljet e Ligjeve zgjedhore në fuqi që ka bërë subjekti në fjalë në këto zgjedhje dhe në zgjedhjet e mëparshme në Kosovë, që do të thotë se i njëjti është i njoftuar me rregullat zgjedhore si dhe shumën e fondeve që ka marrë subjekti politik prej Buxhetit të Republikës së Kosovës, për zhvillimin e aktiviteteve lidhur më fushatën zgjedhore

    Ndërkaq, thuhet se për bazë ligjore për të vendosur si në dispozitiv të vendimit të kundërshtuar, paneli i është referuar 120.1, pika c), dhe nenit 118.1, të LZP-së, lidhur me nenin 9 të Rregullës Zgjedhore Nr.13/2013.

    Vendimi thotë se Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga një gjendje e tillë e çështjes, vlerëson se PZAP nuk ka bërë shekeje të dispozitave të procedurës me rastin e vendosjes për gjobën ndaj subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje.

    “Gjendja faktike është konstatuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, por vendimi mbi dënimin me gjobë është përfshirë në zbatim të gabuar të dispozitave ligjore me referencë në dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, nenin 120 paragrafi 1, pika c e ligjit. Gjykata Supreme, e pranon në tërësi gjendjen faktike të konstatuar nga PZAP, pasi që me provat që gjendën në shkresat e lëndës konstatohet në mënyrë të plotë dhe të besueshëm gjendja faktike e konstatuar nga PZAP. Nga provat në shkresat e lëndës, por edhe nga përgjigjja në ankesë e dorëzuar tek Paneli, nga vet subjekti politik LVV, konstatohet se pretendimet e ankuesit Xh. G., kryesues i Komisionit Komunal Zgjedhor, KKZ në Junik, janë pretendime të provuara, për faktin se LVV, ka mbajtur tubim me qytetaret në Junik, sheshi “Edmon Hoxha” pa njoftim paraprak”, thuhet në vendimin e Supremes.

    Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, rrethanat e konstatuara nga PAZP, janë përcaktuese për shqiptimin e dënimit me gjobë ndaj subjektit politik LVV, pasi që me mbajtjen e tubimit elektoral pa njoftim të Komisionit Komunal Zgjedhor, ky subjekt ka konsumuar shkeljen nga neni 4.2 të Rregullës Zgjedhore Nr.13/2013, lidhur me Fushatën Zgjedhore dhe Njoftimin për Ngjarjet Politike, mirëpo dënimi me gjobë i shqiptuar nga PZAP, për shkeljen në fjalë është dënim i lartë, për çka Gjykata Suprem ka vendosur për ndryshimin e vendimit të kundërshtuar.

    “Duke i marrë në konsideratë të gjitha rrethanat faktike të konstatuar nga PZAP, dhe rrethanat specifike lidhur me lartësinë e gjobës, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, është diktuar nevoja e ndryshimit të vendimit të kundërshtuara, ngase natyrën e shkeljes dhe ndikimi i mundshëm i saj në procesin zgjedhor në fjalët, kanë qenë me efekt minimal në cenimin e standardit, të sigurisë dhe Kodit të Mirësjelljes së subjekteve politike”, thuhet në vendim.

    Tutje, Supremja thotë se natyra e shkeljes është e tillë që nuk ka ndikuar në imazhin e përgjithshëm të zgjedhjeve, sepse tubimi është realizuar gjatë fushatës zgjedhore dhe në këtë tubim subjekti politik LVV, nuk është përfshirë në asnjë shkelje tjetër të denoncuar, përveç shkeljes për mos njoftimin e tubimit elektoral. Ndërsa thuhet se ndikimi i këtij tubimi në cenimin e standardeve për mënyrë se si duhet të realizohet fushata zgjedhore është minimal dhe pa ndikim në procesin e mëtejmë zgjedhor, prandaj gjoba në lartësi prej 2,000 euro, vlerësohet si dënim ekuivalent me të gjitha rrethanat e theksuara.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!