Gjykata Supreme ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Apelit për kthimin e Enver Sekiraqës në paraburgim pasi ishte dënuar me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.
Kësisoj është refuzuar si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të Sekiraqës, të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Në aktvendimin e Supremes të siguruar nga gazeta online Rreporteri.net thuhet se i njëjti ka rrezik për t’u arratisur dhe për ta penguar procedurën penale.
“Duke pasur parasysh rrethanat e lartcekura, kjo gjykatë konsideron se masat tjera respektivisht mbrojta në liri do të ishte e pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurën penale dhe se pretendimet ankimore të mbrojtësit nuk janë të bazuara. Edhe sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, caktimi i paraburgimit si masë e sigurisë për praninë e tij në procedurë dhe përfundimin e papengesë të saj, është i drejtë dhe i bazuar në ligj”, thuhet në aktvendimin e Supremes.
I akuzuari për shtytje në vrasje të policit Triumf Riza më 2007, Enver Sekiraqa, që nga 17.05.2024 vazhdon të jetë në arrati, ndonëse ndaj tij tashmë ekziston një vendim që të kthehet në paraburgim.
Pas vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit, Sekiraqa do të duhej që të ishte në paraburgim nga masa paraprake që ishte në liri që nga data 03.05.2024, kur ishte shpallur aktgjykimi ndaj tij dhe i ishte zëvendësuar masa nga arresti shtëpiak, por që ende nuk dihet vendndodhja e tij.
Ai tashmë është shpallur në kërkim nga Polica e Kosovës. /Reporteri.net/