Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ka marrë vendim që ta kthejë në punë Nexhat Krasniqin, i njohur ndryshe edhe si “baba i tenderëve”.
Nexhat Krasniqi, me ndihmën e qeverisë së drejtuar nga LDK-ja, synonte të rikthehej në punë. Kjo atij do t’i mundësohej përmes Këshillit të Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHCK), ku Krasniqi në vitin 2018 edhe kishte bërë ankesë, por aso kohe ishte hedhur poshtë.
Portali ka raportuar për vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të datës 4 dhjetor të këtij viti përmes së cilit aprovohet si e bazuar ankesa A.nr.77/2019 e datës 7 shkurt të vitit 2019 e parashtruar nga Nexhat Krasniqi.
Me këtë vendim, siç mësohet, është anuluar vendimi 888 i datës 29 janar të vitit 2019 i Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe të ankesave i Ministrisë së Infrastrukturës, si dhe vendimi i U.D. Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe mbetet në fuqi vendimi i datës 2 mars 2018 numër 1925.
Mirëpo, vendimi i KPMSHC-së është në kundërshtim me aktvendimin e Gjykatë Supreme, ku Nexhat Krasniqi e kishte humbur betejën me sekretarin e përgjithshëm që ishte ushtrues detyre në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.
Me vendimin e Gjykatës Supreme në fund të muajit nëntor të vitit 2019, Nexhat Krasniqi ishte larguar përfundimisht nga pozita e tij të udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.
Në vendimin ndaj tij, Nexhat Krasniqit i bëhej e qartë që është larguar përfundimisht nga posti i udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Ballkani.info ka kërkuar sqarime nga Gjykata Supreme pas vendimit të KPMSHCK-së për kthimin në punë të Krasniqit.
Në përgjigjet dërguar sot (e premte), Gjykata Supreme bën të ditur se kjo Gjykatë nuk është në në dijeni të Vendimit të KPMSHC për kthimin në punë të Nexhat Krasniqit, pasi që kjo Gjykatë me Aktvendimin CML.nr.12/2019 datë 18.11.2019 duke vendosur lidhur me Kërkesën e Prokurorit të Shtetit për Mbrojtje të Ligjshmërisë KMLC.nr.138/2019 datë 22.8.2019 ka lënë jashtë fuqie aktvendimin e KPMSHC në Kosovë nr.6897 datë 16.11.2018 mbi pezullimin e zbatimit të vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës nr. protokollit 10641 datë 12.11.2018 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës Nexhat Krasniqit.
“Kjo, pasi që njëzet e pesë ditë pas nxjerrjes së këtij vendimi/aktvendimi të KPMSHCK, nr.6897 datë 16.11.2018, KPMSHC kishte nxjerrë aktvendimin përfundimtar lidhur me ankesën e N.K., me të cilin vendim hedhet poshtë si e pa lejuar ankesa e parashtruesit N.K., me arsyetim se i njëjti fillimisht nuk i ka shterrur burimet e brendshme të ankimimit duke paraqitur ankesë në Komisionin për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e lartëpërmendur. Pas nxjerrjes së këtij vendimi të dytë të KPMSHC në Kosovë, N.K., kundër vendimit të lartëpërmendur për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nr. protokollit 10641 datë 12.11.2018 ka paraqitur ankesë në Komisionin e lartëpërmendur për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e Infrastruktures, i cili Komision me vendimin nr.01-888 datë 29.01.20219 refuzon si të pabazuar një ankesë të tillë të N.K., dhe lë në fuqi vendimin për ndërprerje të marrëdhënies së punës. Më tutje, me ecurinë e procedurës në këtë çështje juridike, Gjykata Supreme nuk ka njohuri”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.
Në pyetjen se a mundet KPMSHC-ja të marrë vendim për kthimin në punë të personit të cilit me aktvendim të Gjykatës Supreme i është konfirmuar shkelja dhe është vërtetuar vendimi i Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Infrastrukturës, në situatën e përshkruar në përgjigje të pyetjes së parë, Gjykata Supreme në përgjigjet dërguar sot Ballkani.info thotë kështu: “Nuk ka mundësi që KPMSHC në Kosovë të merr vendim tjetër për kthim të N.K. në punë”.
“Megjithatë, ne nuk dijmë nëse, N.K., ka paraqitur ankesë në KPMSHCK kundër vendimit të Komisionit të lartëpërmendur për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e Infrastruktures, nr.01-888 datë 29.01.20219, lidhur me refuzimin e ankesës së tillë (të N.K.) me të cilin është lënë në fuqi vendimi i lartëpërmendur për ndërprerje të marrëdhënies së punës, dhe duke vepruar sipas kësaj ankese KPMSHCK ka mundur te nxjerrë vendimin tjetër për kthimin në punë të personit në fjalë, i cili vendim, natyrisht mund të sfidohet në procedura të mëtejshme gjyqësore, të parapara me ligj”, thekson Supremja.
Ndërkaq, në pyetjen se cili organ në Republikën e Kosovës është më i fuqishëm, Gjykata Supreme e Kosovës apo KPMSHC, Gjykata përgjigjet kështu: “Të dy këto institucione janë të fuqishme brenda kompetencave dhe autorizimeve te tyre ligjore, mirëpo, Gjykata Supreme, brenda autorizimeve dhe kompetencave të dhëna me Ligjin për Gjykatat në Kosovë, vendos në shkallë të fundit lidhur me ligjshmërinë edhe të vendimeve të lëshuara nga KPMSHC, në konteste pune”.
Të kujtojmë se përkundër se Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Apelit, i kishin dhënë përparësi Krasniqit, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur edhe në Gjykatën Supreme.
Në vendimin ndaj tij, Nexhat Krasniqit i bëhej e qartë që është larguar përfundimisht nga posti i udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Krasniqi, që njihet si ‘baba i tenderëve’, ishte treguar mjaftë problematik qysh në fillim të vendimit për t’u larguar nga posti i lartë në Ministrinë e Infrastrukturës. Përkundër vendimit të sekretarit që ishte në postin e ushtruesit të detyrës, ai kishte refuzuar të largohej nga zyra.
Madje, Krasniqin nuk kishin arritur që ta largonin as Policia e Kosovës, kur përkundër se u ishin ftuar për një gjë të tillë, ata nga zyra nuk kishin arritur ta largonin atë. Madje ai kishte vazhduar punën normalisht edhe pse ishte shkarkuar.
Në fakt kjo kishte qenë rezistenca e dytë që Krasniqi kishte bërë për mos t’u larguar nga posti i tij.
Rasti i parë kishte qenë kur ai ishte akuzuar në rastin e njohur si MTPT, ku së bashku me Fatmir Limajn dhe të tjerët, Krasniqi akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti, por që për këtë rast ishin shpallur të pafajshëm të gjithë më pas.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit më 12 nëntor të vitit 2018 kishte marrë vendim që ndaj Krasniqit të “Ndërpritet Marrëdhënia e Punës në Shërbimin Civil’ për shkak të kryerjes së veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.
Përballjet për vendimin që t’i ndërpritet marrëdhënia e punës, kishin përfunduar në nëntor të vitit të kaluar, kur për Krasniqin është vendosur të largohet nga ai post për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Në anën tjetër, AVONET konsideronte se në rastin e Krasniqit ishte përfshirë edhe gjykatësi Arton Fazliu, për të cilin dyshohet se i ka shërbyer Nexhat Krasniqit dhe ka shkelur Kushtetutën.
AVONET theksonte se përmes një hulumtimi që kanë bërë, kanë kuptuar se përderisa ka qenë i punësuar si Drejtor i Prokurimit në MTI, Nexhat Krasniqi është larguar nga puna, bazuar në Aktgjykimin të Gjykatës Themelore të Prishtinës PKR 144 i datës 21 shtator 2015, me të cilin është dënuar me dy vjet e dy muaj burgim, gjegjësisht 26 muaj për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, Aktgjykim të cilin Gjykata e Apelit e ka vërtetuar me Aktgjykimin që ka lëshuar më datë 20 maj 2016, ku të njëjtit i është shqiptuar dënimi me burgim një vit gjashtë muaj për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ky aktgjykim është i plotëfuqishëm.
Për rastin në fjalë edhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës kishte nxjerrë Aktgjykim me datë 2 mars 2017, me të cilin është vërtetuar Aktgjykimi i datës 20 maj 2016 të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, me të cilin është dënuar me burgim një vit e gjashtë muaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Duke kontestuar drejtësinë, AVONET thoshte se Krasniqi ka parashtruar edhe një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të datës 2 mars 2017 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, e cila kërkesë me anë të Aktvendimit (si Aktvendim përfundimtar) për papranueshmëri më datë 5 shkurt 2018 është refuzuar si e papranueshme.
“Duke u bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, më datë 21 shtator 2015, Aktgjykimin më datë 20 maj 2016, të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, Aktgjykimin me datë 2 mars 2017 i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Aktvendimin për papranueshmëri me datë 5 Shkurt 2018 të Gjykatës Kushtetuese, është vërtetuar se Nexhat Krasniqi ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe për këtë është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim një e gjashtë muaj”, thuhej në reagimin e AVONET.
AVONET theksonte se mbi bazën e këtij aktgjykimi Sekretari i Përgjithshëm u.d i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit me vendimin nr.01.10641 datë 12.11.2018 Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit Nexhat Krasniqit i është shqiptuar masa disiplinore “Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës në Shërbimin Civil”. Në nenin e shpallur thuhej se “Nëse nëpunësi civil shpallet fajtor dhe dënohet për kryerje të veprës penale, autoritetet kompetente administrative detyrohen që nga ato elemente të vendimit të gjykatës kompetente, që përbëjnë shkelje të parimeve dhe të rregullave administrative, duhet të urdhërojnë shkarkimin e nëpunësit civil”.
Ndaj këtij vendimi, ai ka parashtruar ankesën A.Nr.745/2018 të datës 16.11.2018 në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës(KPMSHCK), të cilën me vendimin nr.7520/2018 datë 10.12.2018 e ka hudhur poshtë si të palejuar.
“Nexhat Krasniqi në cilësinë e propozuesit ka parashtruar propozim me datë 22.11.2018 për përmbarim në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Civil, në bazë të këtij propozimi Gjykata ka nxjerrë Aktvendimin Cp.nr. 2257/18 me të cilin ka detyruar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit që të lejoj Nexhat Krasniqin të ushtroi detyrën e Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit dhe të mos marrë asnjë veprim tjetër administrativ për këtë procedurë deri në marrjen e vendimit përfundimtarë nga ana e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), lidhur me ankesën e ankuesit, duke mos e prezantuar vendimin e KPMSHC për hudhje poshtë të ankesës. Nga shkresa shihet se vendimi nuk kishte bazë për ekzekutim dhe ligjërisht nuk duhej t’i nënshtrohej përmbarimit nga ana e gjyqtarit”, thuhet në reagimin e AVONET-it.
Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm me rastin e vërtetimit të plotëfuqishmërisë të aktvendimit Cp.nr.2257/18 me datë 25.07.2019 nga gjykatësi Arton Fazliu, sipas AVONET-it, ka bërë shkelje absolute të Kushtetutës.
“AVONET konsideron se një veprim i institucionit të rëndësishëm, nuk duhet të ndikohet nga interesat personale dhe grupore të individëve të caktuar, të cilët në shkallë të ndryshme të gjykimit i është vërtetuar vepra penale nga te gjitha instancat gjyqësore. Gjykata dhe gjykatësi i ka shërbyer më së keqi drejtësisë, duke vepruar në kundërshtim me rendin juridik dhe parimin e sigurisë publike, njëherësh duke ulur edhe besimin në sistemin e drejtësisë dhe ulje të imazhit të Kosovës dhe proceseve të saja, siç është rruga drejt integrimit dhe liberalizimit të vizave. AVONET kërkon nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që sa më parë të filloj hetimet ndaj gjykatësit Arton Fazliu, sepse raste të tilla nxisin dyshime për keqpërdorim të pozitës dhe besimit në drejtësi”, përfundonte reagimi.