×
  • Lajme
  • Lajme

    Supremja rrëzon 9 dispozita të rregullores së “Prishtina Parkingut”: Shkelje e të drejtave kushtetuese

    Reporteri
    07 Maj 2025 | 18:34

    Gjykata Supreme e Kosovës ka konstatuar se nëntë dispozita të Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës janë në kundërshtim me të drejtat kushtetuese, parimin e ligjshmërisë dhe standardet evropiane për të drejtat e njeriut.

    Ky vendim është marrë pas padisë që kishte ngritur Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), i cili kishte kontestuar legalitetin dhe kushtetutshmërinë e disa prej kompetencave që kjo Rregullore ia njeh ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”.

    Sipas GLPS-së, dispozitat e kontestuara përfshijnë autorizimin e ndërmarrjes për vendosjen e bllokadave në automjete, konfiskimin e tyre si dhe përjashtimin nga përgjegjësia për dëmet që mund t’u shkaktohen qytetarëve në hapësirat e parkingut.

    Këto kompetenca, sipas organizatës, janë të paligjshme dhe bien ndesh me parimet themelore të shtetit të së drejtës.

    GLPS-ja ka bërë të ditur se do të mbajë një konferencë për media të enjten, ku do të sqarojë më gjerësisht gjetjet e Gjykatës Supreme dhe rëndësinë e këtij vendimi për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe garantimin e sundimit të ligjit në nivel lokal.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!