×
  • Lajme
  • Lajme

    Supremja vendos: Ankesa e Shqipdon Fazliut për procesin e Kryeprokurorit të ri, e pabazuar – ky është aktgjykimi i plotë

    Reporteri
    29 Dhjetor 2022 | 14:54

    Autor: Linda Ibrahimaj


    Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorit Shqipdon Fazliu ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për rastin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të shtetit. Para Supremes, verdikt të njëjtë gjyqësor kishin dhënë edhe Gjykata e Apelit dhe ajo Themelore e Prishtinës. Paraprakisht, ankesa e Fazliut, ish-kandidat për shef të Kryeprokurorisë, ishte refuzuar të trajtohej nga Gjykata Kushtetuese. 

    “Kërkesa e paditësit për rishqyrtim të jashtëzakonshme të vendimit gjyqësor është e pabazuar”, thuhet në vendimin e Supremes të siguruar nga gazeta online Reporteri.net, i marrë me 27 dhjetor 2022.

    Shqipdon Fazliu pretendon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit që u përmbyll me 6 prill 2022 kishte pasur parregullsi nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    KPK-ja e përzgjodhi Blerim Isufajn për kryeprokuror të ri të shtetit. Ky i fundit nuk është dekretuar ende nga ana e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, siç parashihet me Kushtetutë.

    Shefja e shtetit vazhdimisht e ka përdorur si arsyetim ankesën e Fazilut në gjykata për të mos e dekretuar Isufajn për Kryeprokuror të ri. Bazuar në deklaratat publike të zyrtarëve të pushtetit, del se Isufaj nuk kishte kandidat i preferuar i pushtetit politik për ta drejtuar institucionin e pavarur të kryeprokuror të Shtetit.

    “Gjykata Supreme i shqyrtoi edhe pretendimet e tjera të theksuara si në kërkesë por i vlerësoi si jo me ndikim për të vendosur ndryshe në këtë çështje nga ajo e vendosur nga gjykata e instancave më të ulëta. Prandaj mbi këtë gjendje të fakteve si më lartë kolegji i Gjykatës Supreme i vlerëson si të drejtë dhe të ligjshëm vendimet e gjykatave më të ulëta sepse është vërtetuar në mënyrë të plotë çështja në shqyrtim, dhe drejtë kanë aplikuar dispozitat ligjore të Ligjit të Procedurës Administrative, Ligjit për Konflikte Administrative dhe Ligjit për Procedurën Kontestimore”, thuhet në arsyetimin e Supremes për ankesën e Fazliut ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, që po ashtu, shtatorin e këtij vitit, i rrëzoi pretendimet e tij në ankimimin kundër vendimit të Themelores e cila gjithashtu nuk ka gjetur shkelje në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri.

    “Aktvendimet e kontestuara nuk janë të përfshirë me shkelje procedurale apo me zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Aktvendimet e atakuara me kërkesë janë të qartë dhe të arsyetuar mjaftueshëm lidhur me faktet vendimtare, të cilat i aprovon edhe kjo gjykatë”, thotë Supremja.

    “Refuzohet si e pa bazuar kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor e parashtruar nga paditësi, Sh.F., kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit-Departamenti për Çështje Administrative në Prishtinë, AA. Nr.650/2022 të datës 01.09.2022”, thotë dispozitivi i këtij aktgjykimi të kolegjit të Gjykatës Supreme të përbërë nga gjyqtarët: Ragip Namani, kryetar i kolegjit, Nebojša Boričić dhe Fejzullah Rexhepi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!