Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli, ka reaguar pas suspendimit të tre policëve, pas rastit në Skënderaj, ku dikush gjuajti me vezë në vendin ku ndodhej kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Pacolli ka publikuar pamje ku shihet Kurti teksa gjuante me vezë në Kuvend, duke thënë se atëherë ato cilësoheshin “protesta qytetare”, dhe se tash kur këto veprime bëhen ndaj tij, po ndëshkohen policët, shkruan Reporteri.net.
“Policia s’duhet me u ba roje e vezëve të Kurtit. Shteti s’duhet me u dridh prej një proteste simbolike. Ky mentalitet hakmarrës e bën Kosovën me u duk si një pronë private të deputetit Kurti, jo si një demokraci. Populli e din shumë mirë kush po shtiret e kush po mashtron. E veza, po i nxjerr disa maska shumë lehtë”, ka shkruar Pacolli.
Ndryshe, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, ka supsenduar nga puna për 72 orë tre policët.
“Sot, me datë 10.06.2025, në ndërlidhje me rastin e Prishjes së Rendit dhe Qetësisë Publike (PRQP) në Skenderaj, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug, ka ndërmarrë disa veprime dhe në koordinim edhe me Inspektoratin Policor të Kosovës ( IPK) ka marrë vendimin për suspendimin e tre (3) zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Skenderaj në kohëzgjatje prej 72 orësh”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Tutje në njoftim thuhet se hetimet “hetimet e mëtejme ndaj zyrtarëve policorë për shkelje të mundshme do të zhvillohen nga institucionet përkatëse kompetente”.
Vizita e Kurtit në Skënderaj, i cili ishte bashkë me Ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavcin, ishte për përurimin e një çerdheje.
Për gjuajtjen me vezë në vendin ku ishte Kurti, gjatë ditës foli edhekryetari i degës se VV-së në Skënderaj, Hysni Mehani, i cili fajësoi Sami Lushtakun./Reporteri.net
Sulmi me vezë në vendin ku ndodhej Kurti në Skënderaj, suspendohen tre policë për 72 orë