Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë gjetur një arsenal armësh në fshatn Vallaq të Zveqanit, dhe se armët janë kapur në një objekt që sipas tij është i politikanit serb, Aleksandar Arsenijeviq, shkruan Reporteri.net.
Sveqla ka publikuar video nga ky aksion i Policisë të Kosovës ku janë kapur arsenal armësh.
Ai tutje ka shkruar se “nuk do të ndalemi derisa në çrrënjosjen e plotë të mbetjeve kriminale e terroriste të Serbisë nga vendi ynë”.
Postimi i plotë:
Sot, njësitet relevante të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me AKI dhe prokurorinë me monitorim nga KFOR dhe Eulex, kanë realizuar një bastisje në fshatin Vallaq të Zveçanit, ku janë gjetur raketahedhës dore (zolla), granata dore, tronblonë, armë dhe municion i llojeve të ndryshme.
Një arsenal i tërë i mjaftueshëm për një njësit terrorist. Sipas informacioneve që kam pranuar, armatimi i rëndë është gjetur në një objekt që i përket politikanit Aleksandar Arsenijevic.
Krimi nuk mund të fshihet kurrë, pavarësisht petkut që vesh. Veçanërisht përballë institucioneve tejet vigjilente e profesionale që po punojnë pa u ndalur në ofrimin e sigurisë e sundimit të rendit e ligjit në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës.
Nuk do të ndalemi derisa në çrrënjosjen e plotë të mbetjeve kriminale e terroriste të Serbisë nga vendi ynë.