×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Sveçla: Kryeministri, kryeparlamentari, kryeprokurori dhe Kryetari i Supremes do ta kenë koeficientin e njëjtë të pagës

    Reporteri
    09 Dhjetor 2022 | 19:11

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelala Sveçla në shqyrtimin e parë të Projektligjit për Zyrtarët Publikë ka thënë se për herë të parë do të adresohet problemi i pazgjidhur për dy dekada të çështjes së pagave në sektorin publik

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se me Projektligjin për pagat në sektorin publik, do të adresohet dallimi i madh mes pagës së lartë dhe të ulët.

    Në shqyrtimin e parë të këtij projektligji, ministri Sveçla ka shtuar se për herë të parë do të adresohet problemi i pazgjidhur për dy dekada të çështjes së pagave në sektorin publik.

    “Drejt synimit për një administratë profesionale, Ligji për Pagat dhe ai për Zyrtarët Publikë nuk mund të shihen si të ndarë. Vetëm bashkëveprimi i tyre i mirëfilltë është në shërbim të qëllimit të tyre kryesor, reformës së domosdoshme në administratën publike. Përderisa, me projektligjin për Zyrtarët Publikë, zyrtarin publik e vendosim në qendër, përmes Projektligjit për Paga, kompensojnë dinjitetshëm shërbimin ndaj shtetit dhe publikut. Mbrojtja dhe shpenzimi brenda kornizave ligjore i parasë publike është parim kyç me të cilët duhet të udhëhiqemi në të gjitha politikat publike”, ka thënë ai.

    Sipas ministrit Sveçla, dallimi aktual i pagës së lartë dhe të ultë është 20 herë. “Paraja publike sot shpërndahet me mungesë rrënjësore të transparencës përmes vendimeve arbitrare e pa kritere. Si rezultat, ky sistem ka prodhuar pabarazi në mes të të punësuarve të sektorit publik, ku dallimi në mes të pagës më të ulët dhe asaj më të lartë brenda sektorit publik është 20 herë. Pra, paga më e ulët është 20 herë më e vogël se sa paga më e lartë, duke e bërë këtë pabarazi pothuajse të pashembullt në Evropë dhe rajon”, ka thënë tutje ai.

    Ministri i Punëve të Brendshme ka shtuar se me Projektligjin për Zyrtarët Publikë për herë të parë themelohet sistemi i unifikuar i pagave në sektorin publik, të bazuar në ligjshmëri, transparencë, barazi, parashikueshmëri e drejtësi.

    “Projektligji adreson sistemin e pagës bazë përmes përcaktimit të koeficienteve. Në këtë përcaktim ne i kemi përcjell jo vetëm frymën e drejtësisë, parim ky udhëzues përgjatë gjithë ligjit, por edhe realizimin e saj konkret në hierarkinë e pagave. Ruajtja e shkallëzimit të drejtë dhe respektimit të hierarkisë ka udhëzuar përcaktimin e koeficienteve, duke marrë parasysh edhe ndërlidhjen, vartësinë dhe ndër-vartësinë e përcaktuar me kushtetutë dhe me ligje të veçanta për secilin pushtet, grup të institucionesh, agjencisë së pavarura apo ekzekutive”, ka theksuar ministri Sveçla.

    Tutje Sveçla ka shtuar se me këtë projektligj është ruajtur parimi i hierarkisë, ku paga e deputetit ka koeficient të njëjtë me drejtuesit e Agjencisë së Aviacionit Civil dhe Navigimit Ajror dhe drejtuesve në agjencitë që menaxhojnë me sistemin e informacioneve.

    “Kryetari i Kuvendit të Kosovës, kryetari i Gjykatës Supreme, kryeprokurori i shtetit dhe kryeministri kanë përcaktim të njëjtë të koeficientit. Zëvendësit e të njëjtëve, si dhe stafi vartës gjithashtu janë vendosur në linjë të njëjtë horizontale dhe parimi i tillë ndiqet përgjatë gjithë ligjit. Mjeku, specialisti në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në gjykatën dhe Prokurorinë Themelore dhe të përafërt me profesorin e rregullt. Polici dhe oficeri doganor janë me raporte të përafërta të koeficientëve. Një mësimdhënës i shkollës së mesme të lartë ka koeficient të përafërt me pozicion profesional 1 në Zyrën e Kryeministrit. Ndërsa, një mësimdhënës në shkollë të mesme të ulët ka koeficient të ngjashëm me pozitën profesional 1 në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.

    Mes tjerash ministri Sveçla theksoi se koeficienti i zjarrfikësve do të jetë i përafërt me atë të ushtarit në Forcën e Sigurisë së Kosovës./KosovaPress

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!