Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka reaguar pas deklaratës së shefit të tij, Albin Kurti, i cili sot gjatë një prononcimi për media tha se shteti duhet të iu organizojë një mbrojtje ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, që janë të akuzuarit e Gjykatës Speciale në Hagë.
Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Sveçla, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka theksuar se Albini gjithmonë ka thënë se Thaçi së bashku me bashkëpunëtorët e tij, janë kriminelë të paqes e jo të luftës.
“Albini gjithmonë ka thënë se Thaçi & Co. janë kriminelë të paqes e jo të luftës. Edhe sot në konferencë për medie e përsëriti të njëjtën gjë me fjalë tjera duke thënë se disa prej tyre duhet të përgjigjen për vitet 2008 e 2018 por jo për 1998”, shkroi ai.