Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar lidhur me sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj bandave kriminale serbe të cilët vepronin në veri të Kosovës dhe më gjerë.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla theksoi se e mirëpret këtë aksion. Ai po ashtu ka thënë se sot është lëgjitimuar lufta e Qeverisë ndaj grupeve kriminale e krimit të organizuar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Sot u legjitimua lufta jonë ndaj grupeve kriminale e krimit të organizuar, specifikisht në veri, ku struktura të caktuara kanë rezistuar saherë kanë qenë cak i shkatërrimit. Mirëpres sanksionin e ShBA-ve ndaj grupit kriminal me fushëveprim në Serbi dhe në Kosovë dhe ritheksoj se mbesim të pakompromis në luftimin e krimit, kontrabandës e korrupsionit që cënojnë rendin dhe sigurinë kudo në Kosovë”, ka shkruar ai në Facebook.
Sot, Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë nga 24 entite në disa shtete të evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë. /Reporteri.net/