×
  • Lajme
  • Lajme

    Szunyog në veri të Kosovës: Situata këtu është e ndërlikuar

    Reporteri
    02 Mars 2023 | 19:57
    Tomas Szunyog, në veri të Kosovës, të enjten.

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka qëndruar për vizitë të enjten në veri të Kosovës.

    Gjatë qëndrimit të tij, Szunyog njoftoi se është takuar me përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë, përfshirë punëtorë serbë të cilët kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në institucionet e Kosovës dhe ata që aktualisht janë në marrëdhënie pune, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ndër ta, Szunyog u takua edhe me kreun e Listës Serbe, Goran Rakiq.

    Në njoftim, ambasadori i BE-së tha se situata në veri të vendit mbetet e ndërlikuar, mirëpo shtoi se, nga diskutimet që pati, fitoi një përshtypje që edhe vetë qytetarët në ato komuna e dinë se (mos)marrëveshjet aktuale nuk çojnë asgjëkundi, dhe rrezikojnë paqen.

    “Vizitova sot veriun e Kosovës dhe pata një sërë diskutimesh të sinqerta dhe të hapura me përfaqësues të ndryshëm serbë, si dhe shqiptarë të Kosovës, zyrtarë që dhanë dorëheqje nga institucionet nëntorin e kaluar dhe ata që mbetën në detyrë”, njoftoi Szunyog në Twitter.

    “Derisa situata në veri është e ndërlikuar, është e qartë për të gjithë se marrëveshjet aktuale nuk janë të qëndrueshme dhe se paqja e brishtë duhet të zëvendësohet me siguri dhe stabilitet për të gjitha komunitetet që banojnë atje”, tha tutje ai.

    Tomas Szunyog dhe Goran Rakiq

    Sipas ambasadorit të BE-së, Szunyog, çështjet e shumta që prekin komunitetet në veri të Kosovës duhet të trajtohen nga institucionet e vendit, derisa shtoi se ka ende shumë nyje që duhet zgjidhur përmes dialogut.

    “Edhe pse shumë çështje ende duhet të zgjidhen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, këto mund të trajtohen vetëm nga institucionet dhe nga brenda institucioneve. Pres me padurim angazhimin e mëtejshëm me të gjitha komunitetet që jetojnë në veri dhe investimet e vazhdueshme të BE-së në zone”, shkroi ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!