×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri: Kolapsin energjetik e solli VV, energjinë e trajtuan si pronë partiake

    Reporteri
    20 Qershor 2025 | 19:00

    Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar për situatën me energjinë elektrike që është shkaktuar në vend.

    Në një postim në Facebook, ai ka thënë se këtë e bëri keqpërdorimi nga zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Kollapsin energjetik nuk e solli as mungesa e thëngjillit, as ndonjë krizë globale. Atë e sollën paaftësia, mungesa e vizionit dhe keqpërdorimi i qindra milionave euro nga zyrtarët e LVV”, ka thënë Tahiri.

    I njëjti ka përmendur disa aspekte që sipas tij e kanë quar KEK-un në gjendjen në të cilën është sot.

    Ai akuzon Qeverinë Kurti në detyrë se kanë bërë kapjen e KEK-ut, me punësime të aktivistëve partiakë, me shitblerje të dyshimta të energjisë elektrike, rritje drastike të tarifave për qytetarët, si dhe shtrenjtim ekstrem për sektorin privat.

    “Për pesë vite me radhë, qeverisja e Vetëvendosjes në sektorin e energjisë ka qenë ilustrim klasik i kapjes së shtetit dhe dështimit të thellë institucional: Punësimi masiv i aktivistëve partiakë në pozita kyçe në KEK, duke përjashtuar profesionistët dhe duke e shndërruar ndërmarrjen publike në zgjatim të strukturës partiake. Kurdisje tenderësh për qindra miliona euro, që përfunduan në xhepat e familjarëve dhe bizneseve të lidhura me pushtetin – një skemë klasike e shpërdorimit të parasë publike”.

    “Emërimi i zyrtarëve politikë në krye të KEK-ut, përfshirë të arrestuarin Nagip Krasniqi, si dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të “kapelës së zezë” Dejona Mihali – për të betonuar kontrollin e partisë mbi energjinë. Shitblerje të dyshimta të energjisë elektrike, të menaxhuara nga zyra ku është punësuar vëllai i Kryeministrit në largim – një konflikt interesi që sfidon çdo standard etik e ligjor”.

    “Rritje drastike të tarifave për qytetarët – me mbi 127% më shumë për çdo familje që paguan faturën mujore të energjisë. Shtrenjtim ekstrem për sektorin privat – me mbi 270% rritje për mbi 1,300 biznese, të cilat mbajnë gjallë më shumë se 150 mijë vende pune në vend. Bllokimi i investimeve strategjike amerikane, përfshirë projektin e termocentralit “Kosova e Re” dhe gazpërçuesin amerikan – duke dëmtuar rëndë të ardhmen energjetike të Kosovës dhe partneritetin me SHBA-në”, tha Tahiri.

    Tahiri shtoi se ky është rezultati i një qeverisjeje që energjinë e trajtoi si pronë partiake dhe burim përfitimesh të paligjshme. Kostoja e këtij keqmenaxhimi po paguhet rëndë nga qytetarët dhe ekonomia e vendit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!