Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri lidhur me sondazhin e fundit të realizuar nga “UBO Consulting”, e të publikuar nga gazeta online Reporteri.net të premten, ku kjo parti radhitet e dyta, derisa VV në vend të parë, ka thënë se janë zgjedhjet ato që përcaktojnë fatin e një qeverie.
Në konferencën e sotme për media, shefi i grupit parlamentar të PDK-së i bëri sërish thirrje kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së PDK-së dhe zgjedhjet të mbahen më 9 qershor.
“Sondazhet janë sondazhe, por zgjedhjet janë ato që përcaktojnë fatin e një qeverie. Ne i bëjmë thirrje edhe kryeministrit Kurti edhe qeverisë së LVV-së që të mos frikësohen dhe ti përgjigjen pozitivisht ftesës së PDK ashtu siç kemi kërkuar që më 9 qershor të organizohen zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Kosovës”, tha Tahiri.
Deputeti Tahiri tha se zgjedhjet janë nevoj për nxjerrjen e vendit nga sanksionet dhe se me mandatarin Bedri Hamza, ai tha se PDK e konsideron të drejt që vendi të shkoj në zgjedhje më 9 qershor.
Sipas tij, qeveria nën drejtimin e Bedri Hamzës, do të hiqen sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian.
“Zgjedhjet janë nevojë për nxjerrjen e vendit nga sanksionet dhe kriza. Ne nuk kemi as edhe një dyshim që mandatari që do ta formoj qeverinë e re të Kosovës do të jetë Bedri Hamza nga PDK. Ne konsiderojmë që vendimi jonë që të shkojmë në zgjedhje më 9 qershor është vendim i drejt dhe vendim që çon në krijimin e një qeverie të re, dhe ajo e drejtuar nga Bedri Hamza do ta nxjerrë vendin nga sanksionet që na janë vënë nga Bashkimi Evropian”, tha Tahiri në konferencë para gazetarëve./Reporteri.net/