×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri: Nuk e mbështesim rritjen e pagës prej 50 eurosh, është tentim për blerje të votës

    Reporteri
    29 Tetor 2024 | 16:50

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka njoftuar sot se duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, të gjithë punonjësit e sektorit publik do të kenë rritje të pagave.

    Me ç’rast, Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një konferencë të thirrur për media, këtë “premtim” të Qeverisë e ka quajtur mashtrim dhe skandaloz, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “GP i AAK ka thirrur këtë konferencë për shkak të se konferenca e kryeministrit ka qenë komunikimi më i rëndësishëm për 80 mijë shërbyes civil. Gjithë ne kemi prit që t’i duartrokasim për rritjen e vlerës së koefocientit. Në esencë është skandaloze, në përmbajtje është mashtrim dhe dështim”, ka deklaruar Tahiri para gazetarëve.

    Megjithatë, Tahiri tha se procesi i rritjes së pagës në sektorin public duhet të bëbet përmes Ligjit që i rregullon pagat dhe shumën që rregullon me Ligjin mbi Buxhetin.

    “Kosova dhe qeveria i rregullon pagat në sektorin publik me Ligj dhe shumën e rregullon me Ligjin mbi Buxhetin. Rritja e njësive në formë hirarkike të koeficinetit mundet me ndodh vetëm nëse ky Ligj i shtrohet një procesi të amandamentimit në Qeveri e më pastaj në Kuvend. Është manipulim me shërbyes civil dhe kanë pritur që së paku vlera e koeficientit të jetë së paku 130 euro”, ka potencuar tutje Tahiri.

    Po ashtu, ai ka thënë se partia e tij nuk e mbështet rritjen prej 50 eurosh, derisa tërë këtë situatë, Tahiri e ka quajtur tentim për blerje votash nga partia në pushtet.

    “Ne kërkojmë që të mos ketë lojë, të mos tentohet blerja e votës por të shkohet përmes Ligjit për Buxhetin. Ajo që u tha për rritje të ekonomisë, të na tregojë dikush se në cilën sektorë është rritur ekonomia. Andaj ne nuk e mbështesim rritjen prej 50 euro, për shkak se ky është mashtrim dhe tentim për blerje të votës”, u shpreh Tahiri.

    Sot, Kurti tha se Qeveria e tij ka vendosur t’i rrisë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari i vitit 2025.

    Ai theksoi se po e bën këtë për t’i mbështetur ata që kanë paga më të ulëta dhe për ta ngushtuar hendekun mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë.

    Kurti shpjegoi se “duke filluar nga janari i viti të ardhshëm koeficienti do të rritet për 0.5 njësi, pra për gjysmë njësie dhe pastaj nga korriku 2025 edhe për 0.5 njësi të tjera.

    Ai tha rritja e dytë e pagave për 55 euro të tjera do të bëhet edhe verën e ardhshme.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!