Ish-kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e ka cilësuar si ‘’antikushtetues’’, propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje që seanca konstituive të mbahet një herë në javë e jo çdo 48 orë.
Tahiri ka thënë edhe se përveç antikushtetues, ky propozim i VV-së ka pasur për qëllim që të normalizoi shkeljet kushtetuese përmes përfshirjes së të gjithë akterëve në shkelje, dhe po ashtu, ky propozim i VV-së sipas tij, ka qenë eksperiment, një “shpikje” për qeverisje tranzicionale autoritare – pa Kuvend, madje deri në pikën që udhëheqësi i seancës do të mund të ishte edhe ushtrues detyre i Presidentit.
Postimi i tij i plotë:
Propozimi për seanca një herë në javë është:
– Propozim antikushtetues.
– Synim për të normalizuar shkeljet kushtetuese përmes përfshirjes së të gjithë akterëve në shkelje.
– Eksperiment, një “shpikje” për qeverisje tranzicionale autoritare – pa Kuvend, madje deri në pikën që udhëheqësi i seancës do të mund të ishte edhe ushtrues detyre i Presidentit.
– Përcjellje e mesazhit se vendi mund të mbahet pa institucione të reja të dala nga zgjedhjet, për aq kohë sa institucionet e drejtësisë nuk dalin me një qëndrim mbi konfliktin e interesit midis detyrës së kryeministrit dhe asaj të deputetit.
Kjo është:
– thirrje për legjitimimin e bllokadës.
– ftesë për rrënimin total të stabilitetit institucional dhe ndarjes së pushteteve.
Për kaos.