Edhe një rund i ri i dialogut në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, bashkë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislim dhe atë serb, Petar Petkoviq, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.
Asociacioni shpërfaqi edhe njëherë mospajtimet e mëdha mes të dyja palëve. 7 orë takime bilaterale e trelaterale, bisedimet në nivel kryenegociatorësh, përfunduan me akuza të palëve në drejtim të njëra-tjetrës.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi palën serbe se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe. Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe. Petkoviq nuk ishte i interesuar as të bisedojë për planin e sekuencimit”, tha Bislimi.
Ai tha se deri më 18 korrik Kosova dhe Serbia pritet të dërgojnë komentet e tyre lidhur me planin e zbatimit të marrëveshjes në bazë të të cilave ndërmjetësit evropian do të nxjerrin më pas një propozim të ri për zbatim.
Petkoviq, në anën tjetër, si rëndom i cilësoi takimet si “të vështira, dhe shtoi se ai nguli këmbë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Qeveria e Kosovës: Serbia refuzon të pranojë Marrëveshjen Bazike dhe atë për Energjinë
“Një nga çështjet kyçe është pranimi i draftit të Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja. Beogradi është gati ta pranojë atë. Drafti është vendimtar dhe është hapi kryesor në drejtim të themelimit të Asociacionit”, tha Petkoviq.
Por më optimist për rezultatin e takimit ishte i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ndërmjetësi evropian ka thënë se janë diskutuar një mori çështjes dhe është rënë dakord për një sërë hapash vijues.
“Sapo përfunduan më shumë se shtatë orë takime në nivelin e kryenegociatorëve. Me Besnik Bislmin dhe Petar Petkoviqin. Ne diskutuam një gamë të gjerë çështjesh dhe ramë dakord për një sërë hapash vijues”, ka shkruar Lajçak në “X’.
Me gjithë trysninë perëndimore, marrëveshja e arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër ende nuk ka nisur të zbatohet, ndonëse Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se ajo është ligjërisht e detyrueshme për palët dhe nga zbatimi i saj varet përparimi drejt integrimeve evropiane.
Në takimin e fundit të nivelit të lartë që u mbajt javën e kaluar, kryeministri Kurti refuzoi ta takojë presidentin serb, Vuçiq. Ai paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
Kurti tha se pa dorëzimin e Milan Radoçiqit dhe grupit paramilitar serb që kryen sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun me Serbinë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti këtë deklaratë e bëri teksa foli për takimin e së mërkurës në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve, ku shefi i ekzekutivit kosovar, nuk pranoi të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq pa u bërë formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.
Kurti tha se këto kërkesa të garancisë, në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike, të cilën tha se Serbia vazhdimisht po e sulmon. /Reporteri.net/
Shefi në largim i diplomacisë evropiane, Josep Borell, tha se obligimet e dialogut nuk do të ndryshojnë, edhe kur ai të largohet nga posti dhe do të vijnë njerëz të tjerë për ta udhëhequr BE-në.
Ai thotë se lehtësimi i BE-së nuk mund të arrijë më shumë normalizim sesa dëshiron Kosova dhe Serbia.
“Pas disa muajsh, njerëz të tjerë do të jenë në krye të kësaj teme në Bruksel, por pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve Anëtare të tij nuk do të ndryshojnë. Angazhimet dhe obligimet e Kosovës dhe Serbisë nuk do të largohen”.
“Të gjithë do të shikojnë ende gatishmërinë e presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës për të ofruar një të ardhme më të mirë evropiane për popullin e tyre. Në fund, duhet guxim, vizion dhe vullnet politik. BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë në çdo hap gjatë rrugës”, tha Borrell. /Reporteri.net/