×
  • Lajme
  • Lajme / Bruksel

    Takimet e “blinduara” të Kurtit dhe Vuçiqit me liderët evropianë, ende pa rezultate, veç me kërkesa

    Reporteri
    26 Tetor 2023 | 16:22

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndarazi kanë zhvilluar takime me liderët evropianë, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë , Olaf Scholz në kuadër të Samitit të Këshillit Evropian, shkruan Reporteri.net. Takimet nuk duket se kanë dhënë shumë rezultate, të paktën nga çka u deklaroi mediave kryeministrja italiane, por përfunduan veç me kërkesa për Kurtin e Vuciqin. Megjithatë, ende diçka mund të ndryshojë gjatë ditës. 

    Në takime morën pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ky i fundit si nikoqir i takimit.

    Borrell e Michel, më vonë, pritet t’i informojnë edhe krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së për situatën në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe Serbinë, si dhe për rezultatet e takimeve të sotme. Nëse ka pasur.

    Takimi i Kryeministrit Kurti me tre shefat e vendeve kryesore të BE’së nisi rreth orës 14:00 dhe zgjati veç për afro gjysmë ore. Me të përfunduar takimi, kreu i ekzekutivit kosovar pati vetëm një përshëndetje me dorë nga larg për gazetarët që po e prisnin në hollin e hotelit në Bruksel ku u zhvillua takimi nga edhe u largua menjëherë me veturën që po e priste jashtë.

    Momenti kur Kryeministri Kurti, nga distanca, përshëndet me dorë mediat, pas takimit me liderët evropianë në Bruksel

    Përfundon takimi i Kurtit me liderët evropianë

    Po njësoj zgjati edhe takimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me Melon, Macron dhe Scholz’in. Prej treshes, veç italiania u foli gazetarëve.

    Tha se Italia, Franca dhe Gjermania po mundohen që të bëjnë hapa përpara sa i përket dialogut dhe se sot iu kanë kërkuar edhe Kurtit dhe Vuçiqit që të ndërmarrin hapa lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë viteve të kaluara të gjatë muajve të kaluar.

    Kryeministrja italiane ka thënë se pret të shoh se si do të shkojnë gjërat sot gjatë ditës duke thënë se shpreson që do të bëhen disa hapa përpara.

    “Pak më parë ne ishim të angazhuar në një tjetër le të themi një skenar tjetër kritik që është se mes Serbisë dhe Kosovës. Po mundohemi të gjejmë një zgjidhje në bazë të qartë të punës Itali, Francë, Gjermani nga Bashkimi Evropia. Po përpiqemi të bëjmë hapa përpara dhe u kemi kërkuar të dy liderëve të ndërmarrin hapa përpara në lidhje me zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të hartuara së bashku në vitet e kaluara në muajt e kaluar, do të shohim se si do të shkojë gjatë ditës, shpresojmë të bëjmë disa hapa përpara”, ka thënë Meloni.

    Para takimeve, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka folur rreth pritshmërive të tij lidhur me takimet e sotme, e që sipas tij janë “të larta”.

    “Kam pritje të larta, të vazhdojmë përpara”, tha Lajçak, ndërsa shtoi “se presin edhe implementimin e Marrëveshjes”.

    Nga Brukseli foli zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili për propozimin e Brukselit zyrtar sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe tha se iu është dorëzuar palëve dhe se do të presin komentet e tyre, dhe se siç tha ai “shpresojnë në një përgjigje pozitive”.

    Megjithatë, Stano ka thënë se sot nuk është mundësia për të bërë deklarime finale apo për të arritur rezultat final sa i përket modelit evropian për Asociacionin duke shtuar se e gjithë kjo është pjesë e procesit të dialogut, dhe se tani i nevojshëm është de-eskalimi dhe ristartimi i dialogut me energji të plotë, e se duhet përmbushja e detyrimeve nga të dyja palët.

    “Sot nuk është vërtetë mundësia për të bërë deklarime apo arritur rezultat përfundimtar. Kjo është pjesë e procesit. Sepse procesi duhet të ristartohet me energji të plotë dhe përkushtim të plotë. Që do të thotë në mënyrë konstruktive dhe pa parakushte. Për të punuar menjëherë në të gjitha obligimet dhe Asociacioni është një ndër to, dhe për de-eskalim që është jashtëzakonisht i nevojshëm. Dialogu është zgjidhja e vetme, siç është dhe deklarata e 27 vendeve anëtare të BE-së”, ka thënë Stano për Kanal10, duke shtuar se përmbushja e detyrimeve vlen për të dy palët.

    Modeli modern për Asociacionin, Stano: Sot nuk pritet ndonjë rezultat përfundimtar – përmbushja e detyrimeve vlen për të dyja palët

    Rreth takimit të Kurtit e Vuçiqit me liderët evropianë, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq tha se nuk e di se për çfarë është biseduar në këto takime të ndara të dy liderëve, atij kosovar dhe serb.

    “Këto bisedime ende po vazhdojnë nuk mund t’i komentoj, nuk e di për çka janë marrë vesh. Pra, biseda, jo të gjithë së bashku, por së pari me liderët evropianë, njëherë Kryeministri i Kosovës më duket e më pas presidenti i Serbisë. S’kemi ndonjë njoftim, kur të vijnë ata (liderët e BE-së) do të shohim çfarë ka”, theksoi Plenkoviq.

    Ditën e djeshme nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.

    Kryeministri Kurti është dakorduar që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali.

    “Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kryeministrit Kurti, megjithatë ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtësore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes”, bëjnë të ditur nga Kryeministria.

    /Reporteri.net/

    Kosova pranon diskutime mbi “planin e ri” të BE-së, Kurti nesër takime me Macronin, Scholzin e Melonin

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!