×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu

    Takimi i parë në Bruksel i Komisionit të përbashkët, Kosova me një sërë kërkesash për të zhdukurit

    Reporteri
    15 Janar 2025 | 8:40

    Të mërkurën e 15 janarit në Bruksel do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

    Nga Bashkimi Evropian është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net për takimin e sotëm të këtij Komisioni, e që është pjesë e Deklaratës Politike të vitit 2023 për Personat e Zhdukur.

    Ngritja e këtij komisioni është bërë në bazë të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, pas takimit mes Kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq kishin rënë “dakord në Bruksel për termat e referencës për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në bazë të Deklaratës për Personat e Zhdukur të miratuar nga presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 2 maj 2023”.

    Ditën e hënë, kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti,, bëri të ditur Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues delegacionit të Kosovës.

    Ai tha se takimi ka për qëllim adresimin e disa çështjeve për personat e zhdukur, ku pala kosovare do të prezantojë disa kërkesa, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat.

    “Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiq, dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë. Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar më 2 maj 2023”, shkroi Hoti dje në një postim të bërë në Facebook.

    Komisioni i Përbashkët do të monitorojë dhe mbështesë Kosovën dhe Serbinë në avancimin e bashkëpunimit të tyre nën Grupin Punues për Personat e Zhdukur të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK). /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!