×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Takimi i patriarkut serb me Putinin, Kurti: Zhvillim shqetësues – rajoni në rrezik

    Reporteri
    24 Prill 2025 | 21:24

    Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti ka reaguar pas takimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe Porfirije  me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

    Sipas Kurtit Patriarku bëri thirrje për një riorganizim më të gjerë gjeopolitik nën udhëheqjen ruse duke e bërë të ditur se Rusia dhe Serbia duhet të jenë gjithmonë bashkë.

    “Një zhvillim shqetësues doli nga takimi i djeshëm ndërmjet Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe dhe Vladimir Putinit në Moskë. Kisha Ortodokse Serbe ka luajtur prej kohësh një rol aktiv politik, por përputhja e qartë në transkriptin e takimit është zbuluese—sidomos përpara vizitës së Aleksandar Vuçiqit në maj. Patriarku bëri thirrje për një rreshtim më të gjerë gjeopolitik nën udhëheqjen ruse, duke përsëritur se ‘barka e vogël serbe, që lundron në det të trazuar, duhet gjithmonë të jetë e lidhur me anijen e madhe ruse’. Ai gjithashtu sugjeroi se qëndrimi i Serbisë ndaj fqinjëve të saj—Kosovës, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi—është i varur nga pozicioni global i Rusisë.”, ka shkruar Kurti, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Sipas tij kjo nuk është diplomaci fetare, por një partneritet strategjik mes regjimeve autoritare, që e vendos rajonin në rrezik serioz.

    “Kosova, megjithatë, qëndron e palëkundur në parimet dhe aspiratat e saj demokratike dhe i refuzon në mënyrë të prerë agjendat revizioniste të nxitura nga fuqitë autoritare.”, ka shkruar ai.

    Porfirije, përveç falënderimeve ndaj Putinit për mbështetjen, foli edhe për Kosovën, Republikën Srpska dhe Malin e Zi, duke thënë se qëndrimi i Serbisë varet nga qëndrimi i Rusisë.

    Dënimi i “revolucionit me ngjyra” dhe “pushteteve perëndimore”, bashkë me dëshirën që Serbia t’i bashkohet botës ruse, ishin mesazhet që kreu i kishës ortodokse serbe, Porfirije, ia përcolli presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!