×
  • Lajme
  • Lajme

    Takimi trilateral në Bruksel, Borrell me tri kritika për Kosovën e asnjë për Serbinë

    Reporteri
    21 Nëntor 2022 | 17:04
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti / Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell / Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç

    Autor: Xhezair Dashi


    Takimi ishte trilateral, ndërsa shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, nxori tri kritika.

    Që të trija, Borrell ia drejtoi Kosovës.

    Numër një Borrell tha se ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i cili refuzoi propozimin e BE’së për mosgjobitje të vozitësve me targa “KM”, derisa tha se Presidenti i Serbisë pranoi që MPB-ja serbe të mos lëshojë më targa “KM” të tjera.

    Së dyti, Borell tha se “sundimi i ligjit nuk duhet të shërbejë si pretekst për tensionim dhe eskalim të situatës”, kjo referuar vendimit qeveritar kosovar për shtrirjen e sovranitetit të trafikut në pjesën veriore të vendit.

    Së treti, Josep Borrell, tha se “në veçanti Kosova” nuk po respekton obligimet ligjore ndërkombëtare, kjo duke aluduar në mosformimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, marrëveshje kjo e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013 si marrëveshje ndërkombëtare.

    Borrell, pas më shumë se katër orë takimi të mbyllur e bisedash trilaterale me Kurtin e Vucicin, nuk pati ndonjë vërejtje konkrete për Serbinë, përveç thirrjeve për vetëpërmbajtje dhe kërkesës për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

    Mes tjerash, ai u tregua edhe skeptik se forma aktuale e dialogut po shpie gjëkundi, duke thënë se duhet të nxjerren konkluzionet për ecurinë e një dialogu të tillë.

    S’ka marrëveshje në Bruksel, Borrell fajëson Kosovën: Vuçiç e pranoi propozimin, por Kurti jo

    Kundërpërgjigja e Kurtit

    Jo më pak tonike ishte edhe kundërpërgjigja e kryeministrit Kurti pas takimit. “Me keqardhje”, tha kryeministri, “ishte Borell ai që hoqi dorë nga afati i vitit 2023 për marrëveshje për normalizim”.

    “E them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe kjo është propozim i Bashkimit Evropian”.

    “Nuk mund të shndërrohemi me liderë shtetërorë që merremi me çështje të targave dhe nuk diskutojmë për normalizim”, vazhdoi më tej ai.

    Kurti e vëri në dyshim ndonëse shtoi se vazhdon të shpresojë, “që BE të gjejë forcat t’i rrijë prapa propozimit të saj për normalizim të marrëdhënieve”.

    “Sot ai [Josep Borell] hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha ai.

    Qëndrimi i Vuçiç’it

    Aleksandar Vuçiç, në deklarimin e tij, tha se “i ka pranuar” propozimet e BE’së që të mos lëshojë më targa të tjera “KM” në këmbim të mosgjobitjes së qytetarëve serbë që vozisin me targa të këtilla.

    “Për arsye të paqarta për mua nuk arritëm absolutisht asnjë marrëveshje”, ka thënë Vuçiç në një prononcim pas takimit, siç e citoi agjencioni serb i lajmeve “Tanjug”.

    LVV ‘konfirmoi’ moszmbrapsjen nga vendimi për targat

    Lëvizja e tij e kthyer në parti “Vetëvendosje” derisa ende po vazhdonte takimi në Bruksel nisi një fushatë në Facebook me hashtag “meKryeministrin, RKS”, që përçoi konfirmimin e qëndrimit të Kurtit për moszmbrapsjen në çështjen e vendimit për targa.

    Kosovës i është kërkuar nga ShBA dhe BE që të shtyjë për një afat dhjetëmuajsh zbatimit e këtij vendimi, deri në gjetjen e një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në veçanti në dritën e shfaqjes të së ashtuquajturit plan franko-gjerman.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se vendimi për targat nuk është drejtuar kundër komunitetit serb të Kosovës, por mbështetet në sundimin e ligjit dhe rendit në tërë territorin e Kosovës. /Reporteri.net/.

    Kurti i kundërpërgjigjet me akuza Borrellit: Hoqi dorë nga “marrëveshja e madhe”, muajin mars e kishim afat

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!