Tashmë ka nisur të përdorën edhe në Kosovë dy ilaçet, kombinimi i të cilave supozohet se zvogëlon qëndrueshmërinë e virusit Covid-19.
Ilaçet për herë të parë u aprovuan për përdorim nga Presidenti Donald Trump.
Klinika Infektive në QKUK ka konfirmuar për Gazetën Express se me këto ilaçe kanë filluar të trajtohen edhe pacientët e infektuar në Kosovë.
“Ju njoftoj se Klinika Infektive ka filluar trajtimin e pacienteve me COVID 19 te rastet indikative me terapinë Hdroxychloroquine dhe Azitromicinë”, thuhet në përgjigjen e Klinikës Infektive.
Javën e kaluar Ministria e Shëndetësisë e ka konfirmuar për Gazetën Express se ilaçet e aprovuara në Amerikë kanë arritur në Kosovë, një dozë është blerë e një pjesë tjetër është siguruar nga një donator që nuk i dihet emri.
“Ministria e Shëndetësisë është në dijeni lidhur me terapinë në fjalë, dhe tashmë ajo ka siguruar një sasi nëpërmjet buxhetit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, kurse një pjesë e vogël është pranuar si donacion nga një operator i brendshëm ekonomik”, thuhet në përgjigjen e MSH’së.
Në Kosovë deri tash janë 126 raste të infektuara me virusin Covid-19. Prej tyre 10 janë shëruar e një ka vdekur.