Të dhënat zyrtare: 15 persona vdiqën në aksidente, në vetëm tre muajt e parë të këtij viti

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje drejtuesve të veturave, që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.


Sipas tyre, që nga janari i vitit 2017, në aksidente rrugore kanë humbur jetën mbi 280 persona, prej tyre 137 kanë vdekur në vitin 2017, 129 në vitin 2018 dhe 15 këtë vit.

“Në dy muajt e parë të këtij viti 15 persona kanë vdekur si pasojë e aksidenteve në trafikun rrugor në Kosovë. Nëse krahasohet me vitin 2018, janë katër veta më shumë që kanë humbur jetën për periudhën e njëjtë kohore.”, thuhet në njoftim.

Nga Instituti Kombëtar thonë se deri tani është ndërmarrë shumë pak në parandalimin e tyre dhe ka renditur disa nga shkaqet e këtyre aksidenteve të shpeshta.

“Shkaqet janë të ndryshme por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës përdorimi i shpeshtë i telefonave mobil, vozitja nën ndikimin e alkoolit, substancave narkotike, ndikimi i lodhjes apo pagjumësisë, trajnimi joserioz gjatë dhënies së provimit për shofer, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike, ku infrastruktura është problematike dhe drejtuesit e mjeteve janë të pakujdesshëm gjatë vozitjes.”, thuhet më tej në njoftim.

Instituti Kombëtar ka dhënë këto rekomandime:

Përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës.
• Zbatimi me rigorozitet i Ligjit për komunikacionin deri në ndalesën e vozitjes për shkelje të rënda të përsëritura.
• Me programe të ndryshme edukativo–informative të vetëdijësohen njerëzit e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e parë.
• Angazhimi i mas-mediave në kampanja të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve.
• Me fillimin e vitit të ri shkollor të sensibilizohet çështja e sigurisë së fëmijëve në komunikacion duke organizuar orë edukativo – arsimore për sjelljen e këmbësorëve në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit.
• Largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik rigoroz i të gjitha automjeteve.
• Kontrollimet mjekësore të rregullta, periodike dhe plotësuese me vlerësim rigoroz të shëndetit mendor të vozitësve që kanë bërë shkelje të rënda të njëpasnjëshme.
• Të rregullohet infrastruktura rrugore, të bëhet mirëmbajtja e rrugëve, të kompletohet sinjalizimi dhe respektimi rigoroz i rregullave të parkimit të veturave.
• Drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të mirësjelljes qytetare.
• Inspektimi rigoroz i autoshkollave dhe kritereve për marrjen e patentë shoferëve.
• Këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.
Instituti Kombëtar rekomandon zbatimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor që nuk ka si qëllim në vetvete dënimin e shtetasve që kryejnë kundërvajtje, por uljen në maksimum të aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë së jetës së shtetasve që qarkullojnë në rrugët e Kosovës.

Tutje është apeluar që qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve.