×
  • Lajme
  • Lajme

    Të gjitha partitë e ‘shpallin’ fitoren para 6 tetorit: Jemi të parët

    Reporteri
    02 Shtator 2019 | 8:00

    Autor: Blendi Gashi


    Të gjitha partitë politike po shprehen të bindura se do të fitojnë zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.


    Në çdo paraqitje publike por edhe përmes statuseve në Facebook, zyrtarë të të gjitha subjekteve politike thonë se sondazhet i qesin si parti fituese dhe secila prej tyre e sheh vetën në qeverinë e re.

    Edhe në deklarimet e tyre për Reporteri.net përfaqësues të partive shprehen të bindur se do të dalin të parët në zgjedhjet e reja.

    Naser Rugova, ish-deputet i LDK-së, shprehet i bindur se partia e tij do të dalë bindshëm e para në zgjedhjet e 6 tetorit, siç thotë kjo falë punës , programit dhe ofertës që do ta paraqesin para qytetarëve.

    “Konsideroj që LDK është partia më e madhe, më e organizuar, me strukturën më të fuqishme, më e madhe me votë popullore, si grupi parlamentar në Kuvend, por edhe pas përmbylljes me sukses të ciklit të Kuvendit të 9-të ku u zgjodh kryetari, Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia ku kemi nominuar Vjosa Osmanin kandidate për kryeministre. Komplet puna, përkushtimi, tradita, përformanca e Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvend, programi, oferta jonë qeverisëse, potencialet politike e intelektuale dhe personalitetet e shquara nacionale që ka LDK-ja, na bën në garën zgjedhore më 6 tetor si parti e parë dhe do të dalim bindshëm fitues me mbështetjen më të madhe qytetare”, ka thënë Rugova për Reporteri.net.

    Albulena Haxhiu, ish-deputete e Lëvizjes Vetëvendosje poashtu pohon se partia e saj do të dalë e para dhe këtë sipas saj e tregojnë edhe sondazhet.

    “Edhe në zgjedhjet e 2017-tës Vetëvendosje ka dalë partia më e votuar nga qytetarët dhe Albini kandidati me përkrahjen nga qytetarët. Poashtu gjatë këtyre ditëve kemi aktivitete në teren dhe ndjehet përkrahja dhe entuziazmi për fitoren e Vetëvendosjes. Jemi subjekti i vetëm që në vazhdimësi kemi sjell prurje dhe njerëz profesionistë nga fusha e ekonomisë, drejtësisë, kulturës, artit dhe në këtë kuptim janë bërë disa sondazhe që e nxjerrin VV si të parën, nga organizatat kredibile në vazhdimësi çdo tre muaj bëjnë matje të opinionit”, thotë Haxhiu, shkruan Reporteri.net.

    Ajo shprehet se fitorja e Vetëvendosjes do jetë e sigurt, sepse sipas saj qe 14 vite është partia e vetme me qëndrimet e artikuluara nga të gjitha subjektet.

    “Puna jonë si opozitë në Kuvenda apo jashtë tij, ka bërë që qytetarët ta mbështesin Vetëvendosjes, prandaj gjatë këtyre ditëve jemi duke punuar në teren dhe po shkojmë në secilin fshat, lagje, qytet për të takuar qytetarët për të treguar prioritetet e mëdha.

    E pyetur se kur janë realizuar sondazhet që e nxjerrin këtë parti të parën, Haxhiu thotë se e para ka ndodhur në javën e parë të muajit gusht, kurse e fundit para dhjetë ditësh.

    “Asnjërën prej tyre Vetëvendosje nuk i ka porositë e as nuk ka dërguar pyetjet. Këto dy sondazhe e nxjerrin të parën, por nuk publikohen nga ata që i kanë porositur, sepse nuk ju përshtatet që Vetëvendosje prinë nga të gjitha subjektet tjera dhe Albini prinë bindshëm nga të gjithë kandidatët për kryeministër. Kjo do të dëshmohet në zgjedhjet e 6 tetotri, ku bëhet edhe matja e vërtetë”, ka thënë Haxhiu.

    Evgjeni Thaçi-Dragusha, ish-deputete e PDK-së, shprehet e bindur se partia e saj do të dalë triumfuese.

    “Ne jemi të bindur që PDK-ja do të dalë partia e parë fituese në zgjedhjet e 6 tetorit, dhe kryeministër do të jetë Kadri Veseli. Këtë konstatim e bazoj në disa predispozita. E para, ne do të dalim me programin më të mirë dhe më të implementueshëm nga të gjitha partitë e tjera në garë. Do të jetë program që do të mbështetet në prioritetet dhe nevojat e qytetarit dhe vendit për katër vitet e ardhshme.
    Një fakt tjetër është se të gjitha sondazhet e zhvilluara ditëve të fundit e nxjerrin fituese PDK-në”, thotë Thaçi-Dragusha për Reporteri.net.

    Ajo më tej shton se të gjitha strukturat e PDK-së janë të mobilizuara dhe po punojnë fort anë e mbanë Kosovës, duke takuar njërës të profileve të ndryshme, familje, gra e vajza, në mënyrë që të shpërndajnë mesazhin për fitoren e PDK-së dhe siç pohon të Kosovës.

    Ndërsa ish-deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, thotë se secili subjekt politik hynë në garë për të fituar, ashtu edhe koalicioni AAK-PSD.

    “Një prej arsyeve është që do të besojmë se do të jetë koalicion fitues, por këtë do ta mësojmë në mbrëmje të datës 6 tetor ku qytetarët do të vendosin”, thotë Pantina për Reporteri.net.

    Ajo thotë se ky koalicion do të ofrojë zgjidhje për brengat që kanë qytetarët në të gjitha sferat e jetës.

    “Koalicioni është një kombinim i mirë, në njërën anë qëndrueshmëria dhe gatishmëria e Haradinajt për të mbrojtur shtetësinë territoriale dhe në anën tjetër, profesionalizmi dhe përvoja e PSD-së në fusha të caktuara, veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë në zhvillim ekonomik, mbi çështjet sociale, arsimin, shëndetësinë e me radhë, që janë problem për të cilat qytetarët presin zgjidhje”, ka pohuar Pantina.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!