Ministri në detyrë i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretimit të Avdullah Hotit, si kryeministër i ri i Kosovës nga ana e presidentit Thaçi.
Me një lexim të thjeshtë të vendimit, kuptohet se krejt çfarë ka bërë Kushtetuesja, është vendosja e masës së përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar kështu deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.
Mirëpo vendimin e Kushtetueses po e interpreton ndryshe, ministri Reka i cili këtë po e konsideron si verdikt final dhe në një farë mënyre si fitore të Vetëvendosjes, shkruan Reporteri.
Reka ka thënë se me këtë vendim, Gjykata konfirmoi se nuk mund t’i jepet mandati partisë së dytë pa refuzuar e para.
Ai thotë se këtë verdikt Kushtetuesja e mori pasi nuk gjeti prova se partia e parë, në këtë rast Vetëvendosje refuzoi mandatin.
Madje, sipas Rekës me këtë vendim u konfirmua se kushtetuta nuk është shkelë nga ai që duhej të dërgonte emrin, por nga ai që nuk e priti dërgimin e emrit të mandatarit.
“Deri sa nuk ka afat të tillë, kushtetuta nuk është shkel nga ai që duhej të dërgonte emrin, por nga ai që nuk e priti dërgimin e emrit të mandatarit. Më qartë se kaq nuk shkon”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Ky postim i ministrit Reka ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Profesori universitar Rrahman Paçarizi teksa ka shpërndarë këtë shkrim ka shkruar se nuk mund t’u besojë syve nga ajo që po lexon.
https://www.facebook.com/Paccarizi/posts/10158238979209634?__xts__%5B0%5D=68.ARDm0dwTvBIGInA3kXQh8By_AIUhON-T26wDUikYSrrnFEF6_3yRuG6vXV7lz4N9ICTkHzKPS1mpPAnM5M8V1QfASE5oZ5UpZX4IJOlqfabpT0u82jC0peXnBjIWMQvoPyCl_i80I8bPSqX88NCsJ3yauns5omZWl8jKJW5xCC3JlGp4G1pwLHaUECCgGJU8tFDywzUDoQo1JJrQMUgzK0Bti1ah3mqpU5zBBge1_YtxQ51rc3pk715wfCoTswF8J4hgter5j-WLAv1Did7hOKbSFtOLjj2aJamkM5YvEiE5_Kyf-Su0uP404e7-F1jnV9uymfRQ-1EJhQ&__tn__=-R
Më poshtë gjeni postimin e plotë dhe pa ndërhyrje të Rekës:
Kushtetuta nuk është roman
Gjykata Kushtetuese e konfirmoi atë që botërisht dihej: nuk mund të krijohet vullnet politik, duke shkelur kushtetutën. Ashtu, siç nuk ngritet shtëpia mbi themele të dyshimta, as nuk formohet qeveria me shkelje të kushtetutës.
Gjykata vetëm konfirmoi, se nuk mund t’i jepet mandati partisë së dytë, pa e refuzuar e para. E kushtetuesja, nuk gjeti provë, se e para këtë e kishte refuzuar! Fundja Gjykata Kushtetuese nuk e shkruan kushtetutën. Ajo vetëm vlerëson, nëse ajo shkelet.
Norma kushtetuese nuk është roman, që nga kritikët letrarë analizohet me pytejen se: “çka ka dashtë të thotë autori”? Ajo vetëm zbaton ate që e ka shkruar “autori”. Jo, siç ne e kuptojmë, por siç e thotë norma kushtetuese. Ajo, nuk e interpreton kushtetutën siç e don, por vetëm siç e ka shkruar kushtetutëdhënësi. E në kushtetutë, nuk shkruan se për sa ditë, partia e parë duhet të dërgojë emrin e mandatarit. Këtë mund ta bëjë vetëm Kuvendi, me ndryshimin e kësaj Kushtetute, ku do të caktojë këtë afat.
Deri sa nuk ka afat të tillë, kushtetuta nuk është shkel nga ai që duhej të dërgonte emrin, por nga ai që nuk e priti dërgimin e emrit të mandatarit. Më qartë se kaq nuk shkon.
Nëse, prap nuk e kuptoni, lexoni Kelsenin – “babën” e konstitucionalizmit.