Qeveria e Kosovës po insiston që masat ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura nga Bashkimi Evropian mbi një vit më parë duhet të hiqen. Këtë kërkesë kryeministri Kurti tha se e pati edhe gjatë takimeve në kuadër të Samiti tët Berlinit, të hënën.
Ai i kërkoi kancelarit gjerman Olaf Scholz mbështetje për largim të tyre dhe po të njëjtën kërkesë e pati edhe në takim me kryediplomatin italian Antonio Tajani.
“Në takimet që kemi pasur kemi kërkuar që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të padrejta, t’i ipet statusi i vendit kandidat dhe sa më parë të na dërgohet pyetësori me ato mijëra pyetje, të cilin me shumë përkushtim, përgjegjësi, durim e disiplinë do ta përmbushim për shkak se as nuk kemi dhe as nuk duam të kemi alternativë ndaj Bashkimit Evropian”, tha Kurti gjatë së hënës.
Por zëdhënësi i BE-së Peter Stano, u përgjigj duke thënë se “Nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen apo jo, ky është një vendim që duhet ta marrin shtetet anëtare”.
Ai bëri të ditur se diskutimet për këtë çështje vazhdojnë të zhvillohen mes shteteve të bllokut, derisa përmendi edhe raportin e shefit të tij, kryediplomatit Josep Borell, në të cilin rekomandohej heqja e këtyre masave.
“Përfaqësuesi i Lartë ka lëshuar më 3 qershor një deklaratë në emër të BE-së, i pasuar nga raporti i Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e Kosovës. Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”, ka thënë Stano të martën.
Pas deklaratës së Stanos, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se e kanë të qartë se kompetencë e kujt është heqja e masave prandaj kryeministri Kurti i ka kërkuar BE-së që të marrin një vendim.
Ai shtoi se askush nuk po pretendon të kundërtën.
“Së pari ne të gjithë e dimë që Kosova nuk merr vendime për Bashkimin Evropian. Askush në Kosovë nuk po pretendon të kundërtën. Kryeministri Kurti në të gjitha takimet e tij me liderë evropianë dhe vendimmarrës në Bashkimin Evropian me të drejt kërkon largimin e masave sepse ato nuk reflektojnë as arsyet për të cilat janë vendosur e as situatën në terren”, tha Kryeziu.
Për më tepër që nga qershori i këtij viti ka një raport të Përfaqësuesit të Lartë BE-së, Josep Borrel në të cilin kërkohet që masat ndaj Kosovës të largohen. Pas deklarimit dhe vlerësimit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, nuk është më çështje se a duhet apo jo të largohen masat ndaj Kosovës apo kush i largon ato, por pse ato nuk po largohen. Kjo është pyetja për të cilën duhet të japë një përgjigje Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrel, respektivisht z. Stano dhe Bashkimi Evropian” , ka thënë Kryeziu dje për Rtv 21.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para më shumë se një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.
Masat e BE-së ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). /Reporteri.net/