Kanë kaluar tre muaj që kur janë kthyer nga Siria në Kosovë, 110 kosovarë, shumica prej të cilëve gra e fëmijë. Që nga ajo kohë, gratë gjenden në arrest shtëpiak.
Mirëpo, janë vetëm rreth 20 persona që kanë kërkuar ndihmë sociale. Madje, nga ky numër janë 3 fëmijë që kanë mbetur pa status të definuar, për shkak të problemeve me dokumentacion.
Por, pavarësisht kësaj, të kthyerve nga Siria u është siguruar edhe strehim. Këtë e ka treguar Fehmije Gashi, avokate e njërës prej grave të kthyerave nga zona e konfliktit, raporton KTV.
Ndërkaq, koordinatori Nacional kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit, Fatos Makolli, ka thënë që fëmijët e kthyer nga Siria, me një shtator do të fillojnë të ndjekin mësimin.
“Të gjithë fëmijët që për herë të parë regjistrohen në klasë të parë, do të ndjekin arsimin e rregullt. Fëmijët e tjerë që janë të moshës më madhore dhe nuk kanë ndjekur ndonjë shkollim do të trajtohen përmes programeve të arsimit joformal derisa të jenë të gatshëm t’u bashkohen bashkëmoshatarëve të tyre”, ka thënë Makolli.
Më tutje, Makolli ka shtuar se të gjithë të kthyerit do të regjistrohen për skema sociale.
Ndërkaq, siç ishte raportuar më parë, janë edhe rreth 60 kosovarë tjerë në zonën e luftës, për kthimin e të cilëve në Kosovë, Ministria e Drejtësisë kishte thënë që po punon.