Deputeti i LDK-së, Arben Gashi para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se pavarësisht gjuhës agresive të Albin Kurtit, partitë politike duhet ulur të bisedojnë dhe se një mundësi e tillë sipas tij ekzistoni, shkruan Reporteri.net.
Krejt kjo deklaratë e tij, u bë gjysmë orë para se të dështonte seanca e Kuvendit e ku menjëherë u publikua letra e Kurtit drejtuar Abdixhikut ku i bën ftesë për koalicion.
Derisa po fliste për “hajvanatin”, ai ka thënë se ka qenë një moment entuziast i Kurtit dhe duhet harruar dhe të kalohet, pasi nesër pasnesër kushëdo të jetë Kryeministër, ka për t’u ulur edhe me Vuçiqin, dhe është e papranueshme që të mos pranohet të ulen për të biseduar me krerët e partive politike.
Një gjë e tillë sipas tij është e paaarsyeshme.
“Nuk është vetëm kjo (hajvanati) se në fund të fundit ka qenë një momente ka qenë entuziast, le të kalohet, ta harrojmë. Duhet të jemi të përgjegjshëm ndaj qytetarëve. Nuk është ky problemi. Problemi është se askush s’po e sheh të mundshëm bashkëpunimin me Kurtin. Mënyra si është sjell katër vite në pushtet, por unë mendoj prap se ka mundësi. Duhet të tejkalohen këto. Kushdo që të jetë Kryeministër nesër do duhet të ulet me Vuçiqin dhe nuk pranon me u ulë me Kurtin, Abdixhikun apo Krasniqin apo Haradinajn? Është e papranueshme, e paarsyeshme. Duhet të ulen të bisedojnë edhe të merren vesh, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje. Sepse duhet ulen të merren vesh edhe për këtë punë”, ishte deklarata e tij para gazetarëve, sot para seancës konstituive të Kuvendit.
“I bie që edhe LDK-ja duhet të shkojë në takim”, ishte pyetja drejtuar tij.
“Patjtër. Duhet ta mendojnë të gjitha partitë objektivisht dhe të jenë më konstruktiv, por prap se prap topi është në dorën e Kurtit se ai e ka përgjegjësinë e konstituimit të institucioneve dhe lëvizjet e tij nuk janë drejt këtij qëllimi të përbashkët”, ka deklaruar Gashi i LDK-së.
E, edhe pas dështimit të seancës, Gashi i LDK-së pati një qëndrim të njëjtit, që duhet ulur dhe biseduar dhe se “refuzimin duhet ta bëjnë në tavolinë”.
“Gabimet politike që i ka bërë Albin Kurti janë në vazhdimësi, janë të përsëritura, por në fund të fundit ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje … qoftë edhe për t’i thënë Kurtit ti i ke 48 deputetë, vazhdo ose tërhiqu nga mundësia e formimit të Qeverisë”, ka thënë Gashi, duke shtuar se ulja në tavolinë nuk do të thotë as koalicion e as refuzim, por diskutim”, deklaroi ai.
Në anën tjetër Kurti në letrën e tij drejtuar Abdixhikut, ku i bën ftesë për koalicion, thekson se kur kanë qenë bashkë në Kurti 1 në vitin 2020, s’ka pasur probleme me kreun e kësaj partie, por me disa persona tjerë, që siç thotë ai tani s’kanë pozita të larta sikur dikur.
Ai madje ia përmend LDK-së edhe koaliacionet ndër vite.
Në këtë letër, Kurti përjashtoi koalicionin me PDK-në.
/Reporteri.net/