Telekomi bleu 400 mijë euro telefona, dyshohet se të arrestuarit i morën për vete

Katër të arrestuarit e sotëm me urdhër të Prokurorit të Shetit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48-orësh, nën dyshimet për keqpërdorime në ndërmarrjen publike në Telekomin e Kosovës. Bëhet fjalë për ish-drejtori e Financave Armend Osaj, ish-drejtorin e Marketingut Trim Musliu, vëllai i tij Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman.


Trim Musliu dhe Denis Ceman njihen në publik edhe si këshilltarë të ish dy ministrave. Musliu këshilltar i ish-ministrit të Drejtësisë Selim Selimi dhe Ceman këshilltar i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, në dy lokacione në Prishtinë. Ndërkaq, burime të Gazetës Express, bëjnë me dije se dy nga të arrestuarit dyshohet se kanë marrë për vete telefona në vlerë prej rreth 400 mijë eurosh, të destinuar për t’ua shpërndarë klinetëve besnikë të Postës.

“Posta i ka ble reth 400 mijë euro telefona për klientët besnikë të saj, nuk i kanë shpernda. Dyshohet se i kanë marrë për vete”, tha një burim i besueshëm i Expressit.

Pas intervistimit të arrestuarit për keqpërdorime në Telekom, me urdhër të prokurorit të rastit janë dërguar në mbajtje për 48-orë.

Arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Sot me 30 mars 2021, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, ku pas kompletimit të rastit do të jepen informacione shtesë”, ka konfirmuar Policia e Kosovës